Kryetari Latifi ka kujtuar 24 vjetorin e rënies së dëshmorit Agron Rrahmani

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka kujtuar 24 vjetorin e rënies së dëshmorit Agron Rrahmani. Ai ndër të tjera tha: 24 vjet më parë, duke luftuar përballë armikut pushtues, dha jetën Heroi i Kombit, Agron Rrahmani – Naseri, komandanti i shquar i guerileve çlirimtare, i cili i inspiruar dhe gatuar me vlera atdhetare, u bë ndër të parët që u bë pjesë e rezistencës së armatosur. Kur mendon për Agronin, është e pamundur të mos kujtosh vlerat e tij të larta njerëzore dhe karakterin e fortë që ai kishte, njëherazi trimërinë, ndershmërinë, sinqeritetin dhe dashurinë e madhe për kombin që e shfaqte me shumë pasion. Ishte njëri prej shokëve më trima që i dha shpirt veprimtarisë së organizuar të LKÇK-së, komandant i Njësitit të Parë Gueril i kësaj organizate çlirimtare “Rexhep Mala”. Dita e rënies së tij, 12 maj 1998, do të mbetet e freskët në kujtesën time dhe gjithë atyre shokëve bashkëveprimtarë që e njohën. Agroni ishte plagosur rëndë, por shoku i tij i idealeve, Fatmir Humolli nuk e la të vdiste në dorën e armikut. Ndonëse në gjendje të rëndë nga plagët, luftoi heroikisht dhe vdiq i buzëqeshur e i rrethuar nga shokët më të mirë. Madhështia e veprës së Agronit nuk përshkruhet dot. Zjarrin liridashës në zemrën e tij e kuptojnë vetëm ata që jetuan nën pushtimin e egër, i cili jo vetëm i shtypte, por synonte t’i zhbijë shqiptarët nga trojet e veta. Vetëm burrat e mëdhenj të kombit si Agron Rrahmani, të cilit kishin largpamësinë e nevojshme politike, guximin dhe gatishmërinë për të rezistuar, do ta sillnin lirinë. Emri i Agron Rrahmanit – Naserit, buçiste në secilin plumb të pushkëve të lirisë, edhe pas rënies së tij. Luftëtarët trima të UÇK-së do ta donin lirinë më shumë se vdekjen dhe me dëshirë do të përjetësoheshin pas rënieve heroike si ajo e Agronit, Ilirit, Bahriut e luftëtarëve trima, si ata. Ku ta kishim edhe ne fatin e trimit të madh të kombit, Agronit, që të binim në fushëbetejën e luftës për liri! Do ta nderojmë përjetësisht emrin dhe veprën e tij! Nderime dhe lavdi për HEROIN E KOMBIT, Agron Rrahmani – Naseri, si dhe për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e kombit!

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …