Kryetari Latifi ka përkujtuar tre veprimtarët e shquar të lëvizjes sonë kombëtare për çlirim

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, përmes një postimi në facebook ka përkujtuar tre veprimtarët e shquar të lëvizjes sonë kombëtare për çlirim, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, të cilët u vranë 40 vjet më parë nga segmente të shërbimit sekret jugosllav në Gjermani, ku ishin arratisur për ta vazhduar nga mërgimi aktivitetin e tyre patriotik. Ai ndër të tjera tha: Vrasja e planifikuar e tre veprimtarëve ishte goditje e rëndë për lëvizjet ilegale të asaj kohe, veprimtarët e të cilave nga dita në ditë po organizoheshin gjithnjë e më mirë në një front të përbashkët kundër regjimit pushtues jugosllav, që shtypte të drejtat e shqiptarëve, përndiqte, burgoste e likuidonte gjithë ata që guxonin të ngrenin kokën. Liridashësit e paepur, Jusufi, Bardhoshi e Kadriu ishin veprimtarë e krijues me dimension të gjerë intelektual. Ata u bënë frymëzim për gjeneratat e reja të veprimtarëve të ilegales e dhjetëra mijëra liridashësve, e më vonë edhe të atyre që kapën pushkën dhe ia kthyen plumbin pushtuesit. Ndërkohë që krimi mbi ta nuk është zbardhur plotësisht e as nuk është dënuar, me veprën e tyre, ata hynë në historinë e ndritur të Kosovës e viseve shqiptare për t’u kujtuar përherë nga i gjithë populli shqiptar.

Lavdi!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …