Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi së bashku me drejtorin Komunal të Arsimit, Afrim Morina, Komandantin e Stacionit Policor në Rahovec, Fazli Morina dhe me zyrtarë të Drejtorisë Komunale të Arsimit, kanë takuar Drejtorët e Shkollave, Koordinatorët për cilësi dhe Kryetarët e Këshillave Drejtuese, për të diskutuar çështje kyçe në arsimin e komunës së Rahovecit.
Në postimin e tij në facebook, kryetari Latifi ka shkruar se në takim është folur për ecurinë dhe për mbarëvajtjen e procesit ediukativo-arsimor, për performancën dhe për cilësinë në arsim, për arritjet, për sfidat dhe për investimet e shumta në arsim, poashtu për funksionimin sa më të mirë dhe më efektiv të organeve drejtuese të shkollave si dhe për koordinimin sa më të mirë të aktiviteteve të përbashkëta.
Një fokus i veçantë sipas kryetarit Latifi iu kushtua sigurisë, ku Policia prezantoi masat për një mjedis shkollor më të sigurtë dhe për ligjëratat vetëdijësuese për nxënësit.
Me përkushtim të përbashkët, nga dita në ditë po krijojmë kushte më të mira për të ardhmen e fëmijëve tanë, ka shkruar kryetari Latifi në llogarinë e tij në facebook.