Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, në Koshare kanë nderuar 9 prillin e vitit 1999, që simbolizon thyerjen e kufirit të padrejtë dhe të dhunshëm shqiptaro-shqiptar me luftën, gjakun dhe jetën e trimave tanë.
Kryetari Latifi në një postim të tij në facebook ndër të tjera ka thënë: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht luftëtarët dhe udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, bënë praktikisht një luftë heroike deri në fitore kundër pushtuesit. Në këtë vijë frontale u përjetësuan në kujtesën e brezave 114 luftëtarë trima-dëshmorë të kombit. Heroikisht ranë në altarin e lirisë, heronjtë Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi… Gjithsej 114 nga vise të ndryshme shqiptare. Pati shumë luftëtarë trima edhe nga Anadrini, 5 nga të cilët u pavdekësuan në betejën e Koshares si: Ramiz B. Krasniqi-Dejn, Hamëz A. Thaçi-Xërxë, Haziz R. Tolaj-Pataqan, Naim Sh. Arllati-Brestoc dhe Luan R. Gashi-Hoçë e Vogël, dëshmorë të atdheut. Thyerja e kufirit të hekurt shqiptaro-shqiptar ishte ndër aktet më të lavdishme të luftës tonë çlirimtare dhe Hasan Hoti-Cani ishte protagonist i kësaj ngjarjeje të madhe historike, andaj me homazhe nderuam edhe veprën dhe jetën e tij, tanimë që Cani nuk është në mesin tonë!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët!
Lavdi veprës së heronjve dhe dëshmorëve të kombit!