Kryetari Latifi përkujton dëshmorët e rënë në Betejën e Jeshkovës së Vërrinit

Në 26-vjetorin e rënies, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi ka përkujtuar të rënët në Betejën e Jeshkovës së Vërrinit, dëshmorët Hysen Rexhepi, komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 125, Alajdin Xhezairi, Ymridin Qengaj, Besnik Kastrati, Tahir Gashi, Bashkim Suka, Skender Latifi, Feriz Susuri, Hamit Thaçi dhe Hajdar Shala.

Postimi i kryetarit Latifi:

Më 11 mars 1999, në Betejën e Jeshkovës (Gjeç) së Vërrinit, ranë trimërisht luftëtarët: Hysen Rexhepi, komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 125, Alajdin Xhezairi, Ymridin Qengaj, Besnik Kastrati, Tahir Gashi, Bashkim Suka, Skender Latifi, Feriz Susuri, Hamit Thaçi dhe Hajdar Shala.

“Beteja ishte e ashpër dhe u zhvillua në rrethana tepër të rënda dhe të pabarabarta. Qëllimi i Hysen Rexhepit me shokë ishte krijimi i kushteve për riorganizim dhe fuqizim të UÇK-së. Përkundër që ata ishin të rrethuar nga forca të mëdha të pushtuesit, nuk u dhanë, por luftuan deri në frymën e fundit.

Ranë burrërisht për një ideal të lartë dhe qëllim të vetëm, çlirimin e atdheut nga robëria.

E njoha Hysen Rexhepin e Prizrenit (me prejardhje nga Celina) qysh në vitin 1990, nëpërmjet aktivitetit që bënim në kuadër të Unionit të Pavarur të nxënësve të shkollave të mesme të Kosovës. Ishim të organizuar në LPRK – Këshilli i të Rinjve, ku arritëm të krijojmë lidhje të gjallë e të fuqishme pothuajse me të gjitha shkollat e mesme të Kosovës. Më pas, lidhjet tona me Hysenin kanë ardhur duke u forcuar. Hyseni ishte i përcaktuar herët që të ecte në rrugën e nderit. Ai kishte mbajtur lidhje edhe me profesorin atdhetar, Xhemajli Berishën, i cili më pas u dëshmua për qëndresën e tij, duke u bërë hero i heshtur deri në flijim përballë torturave çnjerëzore të xhelatëve të UDB-së.

Hysen Rexhepi ishte i përgatitur, i pjekur, aktiv në lëvizjet e fshehta atdhetare, fillimisht në LPRK e më vonë edhe pjesë e drejtpërdrejtë e angazhimeve në LKÇK.

Lufta për çlirim ishte e domosdoshme. Pashmangshëm ajo po vinte, e Hyseni, pasi u stërvit në Shqipëri dhe mësoi për artin e luftës, vjen në Anadrin, fillimisht në Drenoc e më pas në Ratkoc. Siç e njihja, çdoherë i gatshëm. Kishte fituar përvojë të re, ishte i zhvilluar mirë fizikisht, e që për mua dhe shokët, qe shumë i besueshëm, e me këto cilësi e virtyte, pa humbur kohë, filloi me stërvitjen e ushtarëve tanë duke e udhëhequr edhe Njësinë e Gatishmërisë së Përhershme, që e kishim bërë me djemtë më të zgjedhur. Në gjashtëmujorin e  parë të vitit 1998, mori pjesë në shumë aktivitete të rëndësishme luftarake kudo në Anadrin, por dhe në luftimet në Bardhin e Madh (Bellaqefc), në komandën e heroit të kombit, Fehmi Lladrovci.

Më pas, me marrëveshje midis nesh dhe me kërkesën e shokëve të Vërrinit, Hyseni me disa bashkëluftëtarë, do të kalonin në Vërri. Ndarja jonë me të nuk ishte e lehtë. Ai ishte një kuadër i zoti që po dëshmohej edhe në Vërri, sikurse edhe gjatë marshimit nëpër kufirin shqiptaro-shqiptar, në ditët e vështira të kthimit nga Shqipëria, më 13-14 dhjetor 1998 nëpër Pashtrik, ku ranë Mujë Krasniqi-Kapuçi me dhjetra shokë.

Si një uragan, Hyseni nuk ndalet as pas të gjitha këtyre përpjekjeve e dhimbjeve të mëdha nga humbja e bashkëluftëtarëve dhe me zell e vendosmëri të pashoq bën një punë të admiruar në riorganizimin e Brigadës 125.

Ai do të kujtohet për jetë e mot si një veprimtar shumëvjeçar, i sprovuar në detyra të shumta e të besueshme, i guximshëm në beteja e burrë që i qëndroi besnik kauzës së çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Nëse 11 Marsi 1981, realisht bëri zgjimin e popullit si një moment i kthesës vendimtare në rrugën e lirisë, padyshim që 11 Marsi 1999 është një sinonim i dhimbjes së madhe, por krenare, për humbjen e pakompensueshme të pishtarit të lirisë, Hysen Rexhepit, me bashkëluftëtarë në Jeshkovë (Gjeç).

Lavdi heroit të lirisë, HYSEN REXHEPI!

Lavdi trimave që ranë në Betejën e Jeshkovës!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu apelon që të mos ndezen zjarre fushore dhe malore, në të kundërtën do të veprohet me forcën e ligjit

Kryetari i komunës së Ferizajt përmes llogarisë së tij në facebook ka apeluar që të …