Kryetari Latifi priti në takim Ekipin e Gardës së FSK-së, njësia e kërkim-shpëtimit “Togu i ujërave”

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në prani të udhëheqësve të fshatit Sapniq, familjarëve, e një numri të qytetarëve, ka pritur Ekipin e Gardës së FSK-së, njësia e kërkim-shpëtimit “Togu i ujërave” në krye me komandantin e Gardës Kombëtare, Gjeneral Brigade Xhevahir Gecin, Nënkolonelin Shpend Zogaj, komandant i Rexhimentit të Mbrojtjes Civile dhe rreshterin e klasit të parë, udhëheqësin e togut Naim Mala, si dhe pjesëtarët e angazhuar në këtë operacion. “Si gjithherë operacionet e FSK-së na bëjnë krenar, këtë herë edhe më shumë sepse reaguan ndaj një fatkeqësie, duke kryer një operacion të vështirë e kompleks, me rrezik edhe për jetën e tyre, gjetjen e trupit të pajetë të mësimdhënësit Naim Gashi nga Sapniqi”, tha kryetari Latifi. Ndërsa, në emër të Gardës Kombëtare, ka folur gjenerali Xhevahir Geci, ai tha se operacioni i kërkimit ka përfunduar me gjetjen e trupit të pajetë, dhe se të gjitha përpjekjet janë bërë për të mbështetur Komunën e Rahovecit dhe familjarët e të ndjerit. Me një fjalë rasti vëllai i të ndjerit, Selami Gashi, ka falënderuar kryetarin Latifii dhe pjesëtarët e FSK-së, që kanë bërë gjithçka që është e mundur për gjetjen e trupit te pajetë të vëllait të tij. Po ashtu, me një fjalë rasti drejtori i shkollës fillore ‘’Sapniqi’’, Xhafer Gashi dhe kryetari i fshatit Menur Gashi falënderuan Ekipin e Gardës së FSK-së dhe Komunën e Rahovecit për gjetjen e trupit të pajetë të mësimdhënësit Naim Gashi. Kryetari Latifi, ka falënderuar ekipet e FSK-së, dhe ka ndarë mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e treguar me motivacionin: “Për performancë të shkëlqyer gjatë realizimit të operacionit për Kërkim-Shpëtim në ujërat e Drinit të Bardhë”!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …