Kryetari Latifi së bashku me familjarë dhe qytetarë të shumtë në Gexhë përkujtuan heroin MEHEDIN MORINA

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë në Gexhë përkujtuan heroin MEHEDIN MORINA nga Gllareva e Klinës dhe bashkëvendësit të vrarë nga pushtuesit serb. Kryetari Latifi në fjalën e tij ndër të tjera ka thënë: Në pjesën e parë të majit 1998, lufta e armatosur për liri mori përmasa dhe po shtrihej nga dita në ditë. Pas betejës së suksesshme të UÇK-së ndaj forcave serbe, e cila u zhvillua me 12 maj 1998 në Ratkoc, Malësi e Vogël, Vrajakë e Bërtatin, rrafshi i Anadrinisë u shndërrua në Zonë të Lirë. Natën midis 13 dhe 14 majit, luftëtarët e lirisë ishin në pozicione në Kodrën e Gradishit, e në mëngjesin e 14 majit, filluan luftime të ashpra të UÇK-së me forcat serbe. Lufta ishte e pabarabartë. Në njërën anë, armiku me makinerinë e luftës, me tankse e automjete të blinduara dhe me artileri rrihte pandërprerë pozicionet e UÇK-së, në anën tjetër, luftëtarët e lirisë, me armë të lehta, por me zemrën zjarr e me trimëri i qëndronin e luftonin me pushtuesit. Në gjithë këtë përballim të vështirë, mbështetja i popullit anadrinas, vërtet ishte e jashtëzakonshme. Në mbështetje na erdhën edhe njësitet e UÇK-së nga Malisheva, Drenica dhe Klina. Pra, si një rrufe arriti në arenën e luftimeve edhe veprimtari i spikatur i çështjes kombëtare, MEHEDIN MORINA, i cili e kishte braktisur Holandën, për të qenë në rreshtat e parë të çlirimtarëve. Erdhi për të vetmin qëllim: të luftonte për çlirimin e atdheut nga shkelësit sllavë. Mehedini ra në fushën e nderit, në afërsi të Gradishit, konkretisht në fshatin GEXHË. Luftëtarët e përkushtuar, siç ishte Mehedini, asnjëherë nuk e zgjedhin vendin ku do të luftojnë, nuk e dinë vendin se ku do të vriten, por një gjë e dinin mirë: ata udhëhiqen nga një ideal dhe qëllim i vetëm – të luftojnë për çlirimin e tokave tê pushtuara dhe të gjinden aty ku kishte më së shumti nevojë për ta. Luftëtarët si Mehedini mishërohen, ata nuk i thirr askush, ata vijnë vetë. Pra, Mehedinin nuk e thirrëm, ai erdhi sepse ia dinte plagët atdheut, të cilat ishin edhe plagë të tij të zemrës dhe shpirtit. Rënia në detyrë e trimit nga Gllareva është vetëm një dëshmi, se lufta jonë bëhej për mbrojtjen dhe çlirimin e pragut të të gjitha shtëpive dhe familjeve shqiptare dhe çlirimin e bashkimin kombëtar. Ne bashkëluftëtarët e tij nga Anadrinia, i përulemi përjetësisht kujtimit dhe veprës së Mehedin Morinës, për nderin dhe burrërinë që na la kujtim dhe amanet. Atë ditë forcat pushtuese serbe vranë edhe Bajram Himajn dhe Qamil Himajn nga Gexha dhe Imer Kajdomçajn nga Xërxa. Si gjithë treva e Anadrinisë, edhe Gexha i dha djersë e gjak lirisë së Kosovës: Bacën Bajram Himajn, Zymer Morinën (15.3.1999) dhe Qamil Himajn. I paharruar kujtimi për 14 majin 1998! Lavdi e përjetshme për MEHEDIN MORINËN! Të përjetshme e të freskëta janë kujtimet e luftës sonë çlirimtare!

Lavdi!

Mund të jetë një imazh i 6 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …