Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, uron SHBA-të me rastin e 4 korrikut ditës së Pavarësisë. Ai ndër të tjera tha: 4 Korriku shënon përvjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, demokracisë më të zhvilluar në glob, që i kontribuon paqes dhe sigurisë në botë si asnjë shtet tjetër. Edhe në 247 – vjetorin e pavarësimit, SHBA është fronti i parë që mbron shtetet e popujt para kërcënimeve të rrezikshme për paqen e sigurinë që vijnë nga regjimet vrastare dhe rrënuesit e paqes. 24 vjet më parë, Kosova shpëtoi dhe u çlirua nga regjimi pushtues e gjakatar i Millosheviqit, falë luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së, për të shpëtuar civilët e paarmatosur e të pambrojtur që përndiqeshin e vriteshin. Jemi falënderues përherë për sigurinë dhe mbështetjen që i jep kombi amerikan popullit të Kosovës edhe tash e 24 vjet pas luftës sonë çlirimtare. Gëzuar dhe urime për 4 Korrikun, kombit dhe shtetit mik amerikan!