Gjatë një tubimi në Ferizaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se me fitoren e kandidatit të LDK-së, Muharrem Sfarqa, në Ferizaj do të vazhdojë qeverisja e mirë, projektet e mëdha infrastrukturore, zhvillimi, punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve. “LDK është parti e qendrës së djathtë, dhe si e tillë ajo mbanë sektorin privat – iniciativën private – në qendër të besimit të saj ideologjik e politik. Kjo është dëshmuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes së LDK-së, qoftë në politikën e taksave, të pakove fiskale, të lehtësirave burokratike, të infrastrukturës e të trajtimit të bizneseve”, ka thënë Mustafa.
Siç njofton LDK, ai ka thënë se LDK-ja dhe Sfarqa në këto zgjedhje lokale kanë program të qartë për zhvillim ekonomik të Ferizajt dhe mirëqenie për qytetarët. “Qeverisja lokale që ofron LDK-ja është e orientuar drejt: zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së standardit të jetesës përmes aktivizimit të potencialeve për rritje ekonomike dhe punësim; krijimit të kapaciteteve të reja ekonomike; krijimit të mundësive për investime të reja; dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve nëpërmjet përmirësimit dhe avancimit të vetëqeverisjes lokale në fushën e ekonomisë”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarca tha se gjatë mandatit tim kam bashkëpunuar ngushtë me bizneset për shtimin e kapaciteteve, zgjerimin e atyre ekzistuese dhe hapjen e atyre të reja, të cilat i kanë dhëne shpirt zhvillimit ekonomik të komunës së Ferizajt. “Ne si komunë kemi dhënë maksimumin për përkrahjen e bizneseve, si dhënien e pronave për shfrytëzim, ku kemi dhënë diku mbi 20 hokatarë tokë për periudha afatshkurta dhe afatgjata. Në këto prona sot kanë gjetur punë mbi 1000 punëtorë të rinj”, tha Sfarqa.
Ai ka thënë se Lidhja Demokratike është parti model, e cila ju jep hapësirë të gjithëve, pa asnjë dallim, burrave dhe grave, të rinjve dhe të moshuarve për të kontribuar për të zhvilluar atdheun tonë dhe komunat tona. “Programi ynë për qeverisjen katërvjeçare në Ferizaj, nuk është i bazuar në fjalë të mëdha, por në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm”, ka thënë kryetari i Ferizajt. Deputeti dhe kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj, Labinot Tahiri ka thënë se koalicioni LDK-AKR dhe përkrahja qytetare e bën Sfarqën kryetar të Ferizajt edhe për një mandat. Tahiri ka thënë se arsye e koalicionit me LDK-në në Ferizaj, ka qenë bashkëpunimi shumë korrekt që këto parti kanë pasur gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Ai ka thënë se është ndier borxhli për t’i dhënë përkrahje LDK-së, pasi që kjo parti e ka përkrahur për tu bërë deputet në qershor.