Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar në vazhdën e aktiviteteve të veta me rastin e Festës së 28 Nëntorit ka organizuar vendosjen e flamujve në objektin e Lidhjes së Prizrenit. Kryetari i kësaj Lëvizje, Tahir Veliu, tha aktiviteti i sotëm në Morinë dhe kjo iniciativë në Prizren, është bërë për të dëshmuar se shqiptarët nuk i duan kufijtë mes vete, përderisa theksoi se nëse politikanët nuk i shembin këta kufij, atëherë shqiptarët e bashkuar do t’i shembin vet. “Ne nuk duam këta kufij, ne duam rrënimin e kufijve, përndryshe nëse politika zyrtare e dy shteteve shqiptare nuk i shemb këta kufij, shqiptarët e bashkuar do t’i shembin vetë”, tha ai.
Ndërsa shtoi se e gjithë kjo është një përpjekje e vazhdueshme për të gjitha zhvillimet pozitive. Prizreni i veshur kuq e zi, nga flamujt e vendosur sot, sipas Veliu janë një jo ndaj ish-pushtuesve të këtij qyteti historik. “Ne jemi përpjekje, vazhdimësi e të gjitha përpjekjeve pozitive të gjitha zhvillimeve. Nga viti 1912 deri më sot, shqiptarët në vazhdimësi janë angazhuar për bashkim kombëtar. Sot jemi në këtë lidhje, ta veshim Prizrenin kuq e zi e t’i themi jo ish-pushtuesve në Prizrenin tonë historik”, tha Veliu. Ndryshe, dhjetëra qytetarë kishin ardhur nga troje të ndryshme shqiptare për t’iu bashkuar aktiviteteve të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, me rastin e Ditës së Flamurit dhe 105-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë