Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur në takim kryetarin e Partisë “Alternativa për Ndryshim”, Shqipërim Arifi. Në këtë takim Meta, ka vënë në dukje interesimin e tij të vazhdueshëm ndaj problemeve dhe kërkesave për zgjidhje, të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Preshevës dhe shqiptarëve të atyshëm në përgjithësi. Po ashtu, Meta ka vënë në dukje rëndësinë që ka bashkëpunimi mes faktorit politik shqiptar në Preshevë dhe në të gjithë Luginën, për realizimin e nevojave dhe interesave politike, ekonomike dhe të të gjitha fushave të jetës për shqiptarët atje.
Më tutje, kryetari Meta, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të bashkive të ndryshme të Shqipërisë me komunën e Preshevës për realizimin e projekteve të përbashkëta kulturore, arsimore, sportive me synim edhe zhvillimin ekonomik të Preshevës. Meta ka nënvizuar rëndësinë e madhe që ka integrimi i shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës vendore dhe qendrore. Sipas tij, kjo do të ishte një ndihmesë e madhe për zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë banorët e Kosovës Lindore duke krijuar një perspektivë më të mirë, në veçanti për të rinjtë.