leoni

Kryetari Nura ka takuar bordin e krijuar me rastin e organizmit të sivjetmë të Festivalit Folklorik Rapsodia Shqiptare

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka takuar bordin e krijuar me rastin e organizmit të sivjetmë të Festivalit Folklorik Rapsodia Shqiptare, i cili do të mbahet në vigjilje të festave të nëntorit, përkatësisht më 26, 27 dhe 28 nëntor, në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytet, në nderim të heroit kombëtar Hamëz Jashari, që është figura kryesore dhe qendrore e këtij festivali. Në këtë takim, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Alban Berisha, ka njoftuar me ecurinë e përgatitjeve të festivalit në fjalë, duke theksuar se gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Siç njoftoi drejtori Berisha, në edicionin e sivjetmë pritet të marrin pjesë rreth 45 grupe rapsodësh e këngëtarësh nga trevat shqiptare dhe Kosova, të cilët vetëm sa do e madhështojnë këtë organizim kulturor tradicional. Nga ana e tij, kryetari Nura i ka dhënë përkrahje të plotë bordit, rreth mbarëvajtjes dhe organizimit të përgjithshëm të këtij aktiviteti, duke i inkurajuar anëtarët e tij që çdo veprim në funksion të një organizimi të mirë të jetë i bazuar në vlerësimin profesional. Festivali Folklorik Gjithëkombëtar Rapsodia Shqiptare është organizim i përvitshëm i Komunës së Skenderajt, në të cilin marrin pjesë këngëtarë e rapsodë nga mbarë trevat shqiptare. Organizimi i sivjetmë është edicioni i 17.

 

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …