Ndërkohë që puna sot filloi para orarit zyrtar, një ditë pas asaj që nuk ishte mbajtur në mend për më shumë së 50 vite, me takimin e kryetarit Nura dhe nënkryetarit Lushtaku me drejtorët e Ekzekutivit, ku u formuan 11 komisione për të nisur procesin e vlerësimit të dëmeve, e që filluan pa humbur kohë këtë vlerësim, vizitat nisën tek familjet që ishin prekur nga vërshimet e jashtëzakonshme, duke u gjendur pranë tyre në këto momente të rënda. U vizituan fillimisht bizneset afariste në qytet, të cilat në masë të madhe janë dëmtuar. U vazhdua me fshatin Llaushë, ku gjendja dukej tepër e rëndë, e ku urat e lumit janë shkatërruar plotësisht. Edhe Tushila kishte fatin e njëjtë. Shtëpi të dëmtuara në shkallë të gjerë, bagëti të mbytura dhe tokat bujqësore të përmbytura, janë gjithçka ka mbetur prapa. Janë vizituar edhe fshatrat Kllodernicë, Klinë e Epërme dhe Kuqicë, të cilat janë prekur më së shumti. Shirat e rrëmbyeshëm të ditës së enjte, përveç dëmeve tashmë të ditura, kanë shkatërruar edhe urat, që ka vështirësuar edhe qarkullimin e qytetarëve. Megjithëkëtë, Komuna e Skenderajt, po bën të pamundurën që t’u dilet në ndihmë secilës familje të prekur nga kjo gjendje.