Për Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, rezultati i 22 tetorit ishte shumë pozitiv për partinë që ai drejton.“E kemi pritur këtë sukses dhe është një sukses i mirë. Aktualisht jemi fuqishëm në shumicën e komunave, duke garuar për vend të parë. Në të njëjtën kohë mund ta konsideroj se jemi fitues nga këto zgjedhje, duke pasur parasysh që kemi kaluar një proces zgjedhor kombëtar, që s’ka qenë më i miri më 11 qershor. Tani kemi një rikthim shumë pozitiv”, ka thënë Kadri Veseli, kryetar i PDK-së për “Top Channel”.
Veseli shprehet i bindur në fitimin e dhjetë komunave në të cilat është në balotazh, ndërsa pranon edhe dështimin në Prishtinë. Por, kreu i PDK-së shprehet i rezervuar se cilin kandidat do të mbështesë në balotazhin e Prishtinës, mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit. “PDK-ja do të ndihmojë vetveten në Prishtinë. Me këtë rezultat na kanë ikur rreth 30 mijë vota. Jemi me një rezultat jo siç e kemi dëshiruar në Prishtinë. Kjo është garë elektorale, kemi respekt për të gjithë, por do të shikohen çështjet e interesit partiak që ne kemi tani si parti”, shton më tej Kadri Veseli.