Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha në takim me degët e PDK-së të Prishtinës, se kryeqyteti i vendit vazhdon të ballafaqohet me mungesa elementare, derisa kryetari aktual mburret me kiflet që po ua jep fëmijëve. Ai tha se ata që kanë fituar deri më tani e kanë pasur një papërgjegjësi që kanë menduar që Prishtinën e kanë të vetëm.
“Nuk i shkon për shtati askujt për të menduar që kanë kryer punë. Emblema e kryeqytetit ende ballafaqohet me gjëra elementare, kurse shumë komuna që kemi udhëhequr ne kanë dalë nga fjalori ujësjellësi e rrugët. E këto i mungojnë Prishtinës. Sot nuk është koha me jep kifle. S’jemi në vitet i 60-ta, nuk jemi në kohën e Mao Ce Dunit. Ka shumë gjëra të tjera higjienike, sepse unë si prind jam i shqetësuar për kualitetin e atyre kifleve që i japin fëmijëve”, theksoi Veseli. Kreu i PDK-së shtoi se kryeqytetit i duhet Lirak Çelaj kryetar, pasi ai për katër vite qeverisje do ta bëjë kryeqytetin qendër evropiane. Veseli tha se Shpend Ahmeti duke synuar të bëhet lider i VV dhe kryeministër nuk bëri asgjë për Prishtinën, ani pse kishin pasur shpresa tek ai, madje i kishin ndihmuar të fitojë në vitin 2013. Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Liral Çelaj, nuk ishte pjesë e këtij takimi, pasi ishte i angazhuar në fushatë në pjesë tjera.