Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me ftesë të komunës së Meyrin në Gjenevë dhe rrethit shqiptar në Mejrinas, po e viziton këtë pjesë të Zvicrës, për të marrë pjesë në shënimin e festës kombëtare të Zvicrës. Gjatë kësaj vizite, kryetari Begaj, i cili shoqërohet edhe nga drejtori komunal për arsim, Blerim Thaçi dhe shefja e kabinetit, Blerta Krasniqi, kanë realizuar një varg takimesh me zyrtarë të kësaj komune, si dhe kanë vizituar edhe disa nga institutet dhe vende tjera me rëndësi në Gjenevë.
Sot, delegacioni nga Malisheva, si mysafir të Komunës së Meyrin (Mejrin) në Gjenevë dhe rrethit shqiptar të Mejrinas, po marrin pjesë në shënimet zyrtare të festës kombëtare të Zvicrës dhe janë mysafir të veçantë të kryetarit të kësaj komune, Pierre-Alain Tschudi.
Paraprakisht, delegacioni nga Malisheva, ka vizituar Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore – CERN, që gjendet në Meyrin, pastaj Kuvendin e Komunës së Meyrin, Parkun e të Zhdukurve, bazën e mbrojtjes civile, si dhe shumë monumente dhe institucione kulturore dhe historike në Gjenevë.
Gjatë këtyre vizitave, delegacioni nga Malisheva, është shoqëruar nga kryetari i Komunës së Meyrin, Peirre-Alain Tschudi, kryetari i rrethi shqiptar në Mejrinas, Agim Paçarizi dhe anëtarja e kësaj organizate, Lindita Telqiu.
Në kuadër të qëndrimit në Gjenevë, kryetari Begaj, është takuar edhe me mërgimtar shqiptar, të jetojnë dhe veprojnë në Gjenevë dhe rrethinë, ku i ka njoftuar ata me rrjedhat e përgjithshme në Malishevë, si dhe me mundësitë që ofron Malisheva për investime, por edhe organizimet tjera arsimore dhe kulturore. Po ashtu është biseduar edhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me mërgimtarët, jetesën, socializimin dhe inkuadrimin e tyre në shoqërinë zvicerane.