Kryetari Rahovecit Smajl Latifi përkujton vëllain e tij në një vjetorin e vdekjes Adem Latifi përmes një postimi në rrjetin social facebook.
Baca Dem
U bë një vit prej kur u ndave fizikisht nga ne, një vit plot dhimbje e plot sfida. Dhimbjen po e kalojmë disi, por kujtimet po mbesin të pastra e malli po rritet çdo ditë e më shumë.
Na mësove shumë gjëra. Na e trasove rrugën për gjithçka. Çdo ditë të kujtoj, kujtoj këshillat tua, këshilla që më kanë bërë ky që jam, këshilla që ma formësuan karakterin.
Rrugën tënde po e ndjekim, Baca Dem.
Baca Malush po punon, nuk po ndalet, përkundër dhimbjes për humbjen tënde. Sahadeti po mbahet e fortë, burrneshë. Arbeni e Taulanti po e vazhdojnë punën në Barnatoren Bujqësore, barantore që ju ka shërbyer fermerëve të kësaj ane tash e 20 vjet, e vazhdon t’iu shërbejë edhe sot. Edhe Arbnorja e Albulena po punojnë. Të gjithë po e ndjekim rrugën tënde e këshillat tua. Të gjithë po i ruajmë kujtimet më të bukura me ty. E sot, Baca Dem, u mblodhëm në 1 vjetorin e shkuarjes tënde në amshim, me familjen, miqtë e dashamirësit, bashkëfshatarët e bashkëpunëtorët tuaj, e i shpalosëm disa kujtime për ty, disa sekuenca të jetës tënde. Shumë folëm e shumë lamë pa thënë. Është vështirë të përmblidhet jeta dhe veprat tua në pak fjalë.Baca Dem, do të kujtohesh përherë si njeri i mirë, i qetë, i dashur, i respektueshëm e me vepra të mira. Ndihem krenar që jam vëllai yt! Do të jesh gjithmonë në zemrat tona, Baca Dem!U pjekshim në amshim, VËLLA!