Kryetari Rama shpall gjendje të jashtëzakonshme me mbeturinat në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kryetari Përparim Rama ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet. Në njoftim thuhet se kjo ka ndodhur për shkak që PDK dhe VV miratuan ndryshimin e rregullores për menaxhimin e mbeturinave përmes së cilës i jepet e drejtë ekskluzive ndërmarrjes “Pastrimi” për këtë shërbim, ndonëse Komuna kishte iniciuar procedura të prokurimit për angazhimin e pesë operatorëve privatë në grumbullimin e mbeturinave.

Sipas Komunës përjashtimi i operatorëve privatë krijon monopol dhe kjo çon në “kaos ambiental dhe në mungesë të shërbimit bazik për qytetarët”.

Komuna thotë se kishte blerë 2500 kontejnerë dhe disa kamionë të cilët nuk janë shpërndarë.

Komunikata e komunës:

Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024 pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave. Një ndër hapat kryesorë ishte përfshirja e Operatorëve Ekonomikë në zonën qendër dhe furnizimi i lokacioneve me kontejnerë të rinj, çka ndikoi në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët.

Duke qenë se ndërmarrja “Pastrimi” vazhdon të përballet me mungesë të mekanizmit të nevojshëm dhe nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet kontraktuale, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka siguruar mekanizëm shtesë për vitin 2025. Konkretisht, janë blerë kamionë të rinj për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe 2,500 kontejnerë të rinj, të cilët ende nuk janë shpërndarë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme. Po ashtu, është iniciuar procedura e prokurimit për angazhimin e pesë operatorëve privatë në grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, me synimin që ndarja e Prishtinës në gjashtë zona të bëjë kryeqytetin ndër më të pastërtit në rajon.

Megjithatë, ndërkohë që po punohej për zbatimin e këtyre reformave, me iniciativën e asamblistit të PDK-së, Leotrim Retkoceri, dhe me mbështetjen e grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, u miratua ndryshimi i rregullores për menaxhimin e mbeturinave. Ky ndryshim i dha ndërmarrjes “Pastrimi” të drejtën ekskluzive për këtë shërbim, duke përjashtuar operatorët privatë dhe duke krijuar një monopol që, siç ishte e qartë për propozuesit dhe votuesit e tij, do të çonte në kaos ambiental dhe në mungesë të shërbimit bazik për qytetarët.

Ditëve të fundit, kemi pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për mungesën e shërbimit me javë të tëra, veçanërisht në sistemin “derë më derë”. Një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar një situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish.

Për këto arsye, si institucion përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve të kryeqytetit, jemi të detyruar të shpallim sërish gjendjen e jashtëzakonshme. Ky hap është i domosdoshëm për të marrë masat e nevojshme që situata të vihet nën kontroll, duke garantuar pastërtinë dhe shërbimet bazike për qytetarët e Prishtinës.

Kontrolloni gjithashtu

Leutrim Retkoceri: Vlerat e luftës janë amanet i shenjtë

Kandidati për Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Leutrim Retkoceri ka thënë para simpatizantëve …