Duke e parë rrezikun dhe shqetësimin që po shkaktohet nga zjarrvëniet gjatë kësaj periudhe, kryetari i komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, ka mbajtur takim me Komandantin e Zjarrfikësve, Policinë, zyrtarët e Parkut Nacional dhe përfaqësuesit e KFOR-it. Në këtë takim është diskutuar lidhur me gjendjen e zjarrvënieve në territorin e Komunës së Deçanit, ku po ashtu është pranuar informata që në Bjeshkët e Belles ka filluar një vatër e zjarrit dhe me këtë rast kryetari Ramosaj ka kërkuar bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në parandalimin e zjarrit, që të mos merr përmasa të mëdha dhe të parandalohen katastrofat që mund të ndodhin nga ky zjarr. Kryetari Ramosaj ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar në lidhje me zjarret, sidomos ato të qëllimshmet, pasi një i tillë mund të shkaktojë dëme të pallogaritshme në këto temperatura të larta që po mbizotërojnë në vend, e të cilat mund të çojnë edhe në humbjen e jetëve.