Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të premtën se nuk “do ta fus kokën në zall siç kanë bërë të tjerët” kur bëhet fjalë për Kosovën. Ai ka thënë se është i gatshëm që të bëjë diçka që do të ishte kompromis, por ka shtuar se, nëse dikush mendon se Serbia i jep të gjitha dhe mbetet pa asgjë, është mashtruar keq. Vuçiq këtë e ka thënë duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për dialogun e brendshëm për Kosovën, se a është ai i pikëlluar dhe se për çfarë kompromisi është e gatshme Serbia në mënyrë që të arrihet marrëveshje afatgjatë.
Ai ka thënë se do të jap gjithçka nga vetja që ta arrihet kompromis, por nëse kjo nuk ndodh, ka shtuar ai, atëherë do të thotë lëshime tjera, kohë e humbur dhe një gjeneratë e cila do të humb kohë kot. Kryetari i Serbisë i pyetur se a ka biseduar me shqiptarët e Kosovës dhe se a e ndjen që ekziston dëshira të arrihet kompromisi, ka thënë se “ata e dinë që duhet të bëjnë diçka” por e kanë të vështirë për shkak të situatës së tyre të brendshme dhe situatave tjera në Prishtinë, për dallim prej asaj që po ndodh në Beograd. “Por edhe ata e kanë të qartë se duhet të bëjnë diçka dhe se serbët duhet të marrin diçka, në mënyrë që të bisedohet për kompromis”, ka thënë Vuçiq.