Kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka kërkuar njohjen e pavarësisë Kosovës, pasi ajo do të sjellë forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajon. Kemi mbështetur dhe vijojmë të inkurajojmë pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. E konsiderojmë një platformë mjaft të përshtatshme, ku të sheshohen të gjitha çështjet e mbetura pezull, në mënyrë që të shihet nga e ardhmja. Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqimisht zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, rolin aktiv që ajo luan si anëtare me të drejta të plota në të gjitha organizatat rajonale, si dhe procesin e pandalshëm të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Këto do t’i shërbejnë politikave gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, kontributit që Kosova do të japë në politikat globale, por edhe forcimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit në rajonin e Ballkanit. Sot Kosova njihet nga 109 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe jam i bindur se shumë shpejt edhe vende të tjera të Organizatës do ta njohin, duke kontribuar për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Evropës juglindore e më gjerë”, ka deklaruar Nishani.
Kontrolloni gjithashtu
Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …