Kryetari Smajl Latifi në 26-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe: Krusha e Madhe nuk harron, nuk harrojmë as ne!

Në 26-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe, përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe qendrore dhe figura të rëndësishme u bashkuan në nderim të burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm që u flijuan në pranverën e përgjakur të vitit 1999. Ata mbeten simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se kjo masakër është dëshmi e një veprimi të organizuar dhe të zbatuar nga Serbia kriminale.

“Lufta e popullit tonë për çlirimin e tokave të pushtuara nga sllavët ishte e domosdoshme, prandaj populli i përkrahu bijtë dhe bijat të tyre pa mëdyshje. Ishte e dukshme se zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës nuk mund të kishte, prandaj lufta çlirimtare ishte domosdoshmëri dhe krushjanët e bënë atë që duhet bërë. Në shënjestër të serbëve do të viheshin gra, fëmijë, pleq dhe të rinj, të paarmatosur dhe të pambrojtur. Vrasje masive, djegie të kufomave dhe zhdukje të kufomave të të vrarëve, ishin dëshmi të një veprimi të organizuar dhe të zbatuar nga Serbia kriminale”, u shpreh Latifi.

Krusha e Madhe nuk harron, nuk harrojmë as ne! Drejtësia ende mungon, por kërkimi për të nuk do të ndalet derisa e vërteta dhe drejtësia të triumfojnë. Nuk mund të ketë paqe të vërtetë pa ndëshkimin e atyre që urdhëruan dhe kryen masakra mbi popullin tonë. Ne do të flasim, do të kërkojmë dhe nuk do të ndalemi derisa e vërteta të marrë zërin dhe vendin që meriton.

“Sakrifica e Krushës së Madhe është një plagë që nuk mbyllet kurrë, por edhe një kujtesë e gjallë e qëndresës për liri,” tha kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Lavdi të rënëve të Krushës së Madhe dhe gjithë Kosovës!

Kontrolloni gjithashtu

Kastarti ngushëllon familjen Krasniqi – Mazreku me rastin e ndarjes nga jeta të mësues Florentina Krasniqi-Mazreku

Kryetari i komunës së Malishevës z. Ekrem Kastrati ka ngushëlluar familjen Krasniqi – Mazreku me …