Kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, bisedoi sot me të punësuarit shëndetësorë nga marrëveshjet me Karitasin e Kosovës, për të sqaruar dilemat rreth kontratave të tyre.
Kryetari Svarqa u tha të punësuarve në shëndetësi nga marrëveshjet me Karitasin, se kohëve të fundit ka pasur shumë spekulime dhe shqetësime të panevojshme, rreth vazhdimit të kontratave të punës, edhe pse me kohë është publikuar gatishmëria e Komunës dhe e Karitasit për përtëritjen e marrëveshjeve.
Kryetari i Feriazajt ua përsëriti të punësuarve nga marrëveshja me Karitasin pohimin e publikuar para pak kohësh, se po bëhen përpjekje që nga maji i këtij viti, të bëhet marrëveshje ndërmjet Komunës, Karitasit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që kjo katërshe ta marrë përsipër financimin e tyre. Ai u premtoi këtyre punëtorëve se Komuna do të bëjë gjithçka që është e mundur që marrëdhënia e punës e punëtorëve shëndetësorë, të punësuar nga marrëveshja me Karitasin, të vazhdojë edhe pas 30 prillit të sivjetmë.