Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi për mes një shkrimi e ka kujtuar veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare Bajrush Behramin pas ndarjes së tij nga jeta. Thaçi e ka vlerësuar atë si njeri të përkushtuar si njëri nga organizatoret e demonstratave të vitit 1981 dhe mbështetes i fuqishëm i luftës çlirimtare të UÇK-së por edhe kontribuues i çmuar në ndërtimin e jetës institucionale në liri.
“Vdekja e veprimtarit të shquar Bajrush Behrami është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë brezin e tij politik, me të cilin punoi dekada të tëra. Bajrushi ishte njëri nga organizatorët e demonstratave të vitit 1981, i burgosur politik për vite të tëra dhe mbështetës i pa kompromis i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bajrush Behrami dha kontribut të çmuar edhe në ndërtimin e jetës institucionale pas luftës. Ai u shqua për talent në artin e vizatimit dhe pikturës, duke lënë prapa vetes një trashëgimi artistike, që shprehte shpirtin e tij artistik dhe bindjet atdhetare. I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e tij!”, ka shkruar Thaçi.