Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen serbe, “Veçernji list”, ka folur hapur për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, për mundësinë e përleshjeve mes shqiptarëve e serbëve, për mundësinë e rënies së qeverisë së Kosovës për shkak të bojkotimit të ministrave serbë e tema tjera. Thaçi është shprehur madje i bindur se Kosova, me çdo kusht, do të formojë ushtrinë e saj. Po ashtu, presidenti i Kosovës ka premtuar se kroatët së shpejti do të kenë përfaqësim në parlamentin e Kosovës. Sipas tij, nuk është e vërtetë që Kosova po refuzon të themelojë AKS-në dhe se u qëndron prapa të gjitha obligimeve ndërkombëtare, siç është edhe AKS-ja, por ka shtuar se nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive e as nuk mund të jetë bazë për krijimin e një entiteti politik serb në Kosovë.
Thaçi tha se Asociacioni do të themelohet në batë të ligjeve të Kosovës dhe se, sipas tij, këtë e ka thënë edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini. Megjithatë, Presidenti thotë se me themelimin e AKS-së nuk pritet të ketë përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime, duhet të respektojnë rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës. “Nuk ka dhe nuk mund të ketë përleshje në Kosovë mes shqiptarëve dhe serbëve. Nuk ka pasur konflikte të tilla as në vitet më të rënda të luftërave. Ne kemi luftuar me fuqinë pushtuese të Serbisë, e jo me serbët.