Kryetari, Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë marrë pjesë të premten në vënien e gurë-themelit të kullës muze ‘Kulla e Qëndresës’. Haradinaj ka thënë me këtë rast se në nderim të martirëve dhe heronjve në Lubizhdës së Hasit, kujtojnë me pietet sakrificën e tyre madhore për këtë tokë. “Liria e atdheut, në themelet e saj ka të gdhendur emrat e dëshmorëve, nga tani të dekoruar ‘Heronj të Kosovës’ nga presidenti i vendit. Kulla muze, ‘Kulla e Qëndresës’, të cilës i kemi vënë sot gurthemelin, është shenjë dhe dëshmi se Hasi është përgjakur prej armiqve shumë herë në histori. Në gjithë historinë e shqiptarëve, që nga Lidhja e Prizrenit e deri të UÇK, Hasi e ka dhënë pjesën e vet të kontributit për liri”, ka thënë Haradinaj.
