Kryetari Zenun Elezaj dhe nënkryetari Besim Hoti u takuan me komandantin e Zonës Perëndimore të KFOR-it kolonel Gagliardi

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe nënkryetari Besim Hoti, janë takuar në Klinë, me komandantin e MNBG-W – Zonës Perëndimore të KFOR-it, kolonel Ettore Gagliardi, ku është biseduar për bashkëpunimin në mes Komunës dhe KFOR-it dhe disa projekte të cilat do t’i realizojë KFOR-i në këtë komunë. Koloneli italian Gagliardi, e ka njoftuar Elezajn dhe Hotin se paqeruajtësit italianë që veprojnë në Zonën e Pejës, planifikojnë realizimin e tre projekteve në këtë komunë: pajisje mjekësore, rregullimin e infrastrukturës shkollore në Shkollën e Budisalcit dhe një ndihmë për Caritas-in Ubria Toscana në Leskoc, që udhëhiqet nga italiani, Masimo Macali, që strehon mbi 30 fëmijë pa përkujdesje prindërore. Koloneli italian ka treguar se mjetet për realizimin e këtyre projekteve janë të Qeverisë Italiane dhe realizohen përmes Zyrës së CIMIC-ut në Pejë. “Përveç sigurisë ne kemi edhe Zyrën për bashkëpunim civilo-ushtarak për të ndihmuar popullatën. Misioni ynë është që t’ju shërbejmë të gjitha etnive. Do të punojmë bashkërisht për sigurinë dhe ndihmën e qytetarëve në fusha të ndryshme”, ka thënë kolonel Gagliardi. Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar paqeruajtësit italianë për përkujdesjen e treguar. “Ne u jemi falënderues për gjithçka keni bërë gjatë kohës së luftës dhe për këtë që po bëni në periudhën e pasluftës. Projektet që na prezantuat janë shumë të rëndësishme për qytetarët tanë dhe Komuna është e hapur për bashkëpunim”, ka thënë Elezaj. Ai e njoftoi KFOR-in se qeverisja lokale parasheh realizimin e shumë projekteve që do të ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Komandanti i KFOR-it në Zonën Perëndimore, kolonel Ettore Gagliardi, e ka njoftuar kryetarin Elezaj dhe nënkryetarin Hoti, me ekipin e tij të Zyrës së CIMIC-it dhe Zyrës për Media të Zonës Perëndimore.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …