Kryetarja, Vjosa Osmani, ka emëruar gjeneralmajor, Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese. Pas “dorëheqjes” së Gjenerallejtënant, Rrahman Ramës nga pozita e Komandantit të FSK-së, tashmë është emëruar komandanti i ri. “Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e kryetares. Lidhur me këtë ndërrim të pritur, është komentuar fakti se Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama nuk e kishte pranuar urdhrin e ministrit të Mbrojtjes për të dërguar një kontingjent të ushtarëve në veriun e Kosovës, pasi ishte konsultuar me amerikanët.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër automjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes. Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.
Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre. Edhe këtë kërkesë, në formë urdhëri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë gjenerallejtënant Rama. Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë ka nisur procedura e shkarkimit të tij. (AlbanianPost)