Fushata e Vetëvendosjes kundër OVL-UÇK-së, deri në histeri të sëmurë, me arrogancë e gjuhë mujshare po merr përmasa, për një shkas që nuk është shkak, por që fshihet krejt diçka tjetër, dhe, atë e dinë të gjithë ata që duan ta dinë dhe ta njohin, të vërtetën.
Mjerisht dija e mangët e perceptimit të deklaratave, i nxjerrë në sipërfaqe më të paditurit, kujdestarët e skandaleve, torollakët, histerikët, deledashët që nuk kuptojnë esencën e mendimeve të shprehura publikisht. “Fjalia hipotetike e Faton Klinakut, nuk përbën asnjë kërcënim, me vetë faktin se është hipotetike. Ai e ka thënë qartë “Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova” që do të thotë se ai nuk ikë nga Kosova me asnjë çmim, dhe si rrjedhojë nuk do ta vrasë Albinin. Konstatimi “më parë e vras”, nuk përbën kërcënim, sepse nuk thuhet do ta vras, apo kam për ta vrarë.
Por kjo nuk është e tëra.
Halli është gjetkë.
Në kohën kur Kurti e ka vrarë vetveten politikisht, janë sejmenët e tij të cilët turren, vërsulen, kërcënojnë se do ta mbrojnë “kryeparin”, jo nga Vuçiqi, jo nga sanksionet, që ai me politikën e tij skandaloze i ka vërë Kosovës, por nga veteranët, sepse ata nuk po i pranojnë ligjet diskriminuese të Qeverisë Kurti.
Ja se si reagon një albinist i njohur, deputeti i partisë së Kurtit, Enver Dugolli. Ai shkruan:
“Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk bën të heshtin por urgjentisht të kërkojnë largimin e tij nga ai post duke u shprehur se nuk pajtohen me logjikën e vrasjes si metodë e largimit nga pushteti të Kryeministrit të Kosovës. Albin Kurtin shumë herë e kanë kërcënuar (madje gjatë luftës në burgjet serbe e kanë torturuar deri në prag të vdekjes) por nuk kanë arritur asnjëherë ta frikësojnë”, tha ai duke shtuar se “Megjithatë niveli i sigurisë për kryeministrin Kurti duhet ngritur e Prokuroria të aktivizohet”.
Dugolli na tregon se Kurti qenka trim, se nuk frikësohet, se nuk iu ka frikësuar as Serbisë, kur ka qenë në burg, jo më Faton Klinakut. Megjithatë ai kërkon arrestimin e tij për ta rritur, sikur shkruan, sigurinë e kryeministrit, sepse mendon se ai nuk është i siguruar sa duhet dhe mund ta vrasë ndokush, në mos me plumb, atëherë me një fjali hipotetike.
Halli i madh i Qeverisë Kurti dhe i Vetëvendosjes është gjetkë dhe është njëqind herë më i madh, sesa një fjali e Faton Klinakut… (RKL)