Në një bisedë në “Studion e TV-Diellit”, që transmetohet edhe në valët e Radios-Kosova e Lirë, ditën e premte në orën 21.30, veprimtarja, Kumrie Prenku-Karaçica, ka shpalosur shumë kujtime e ndodhi gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkëshorti i saj, Kadri Ramadan Karaçica është dëshmor i kombit, ndërsa kjo familje luftës së UÇK-së i ka dhënë edhe dëshmorët: Avdi Ramadan Karaçica, Xhevdet Sadik Karaçica, Sadik Karaçica, Shefqet Karaçica, Hajzer Karaçica, dhe Isuf Karaçica.
E lindur në familjen, Prenku të fshatit Dritan, ish-Dobroshec, Kumrie Prenku-Karaçica gjatë luftës së UÇK-së ka qenë edhe vetë aktive duke ndihmuar bashkëshortin, tani dëshmor i atdheut, Kadri Ramadan Karaçica, veprimtar, i burgosur politike dhe luftëtar i UÇK-së, i cili kishte lënë punën në mërgim, dhe ishte kthyer, në Drenicë, ku iu kishte bashkuar radhëve të çlirimtareve dhe kishte luftuar deri më 13 prill të vitit 1999, kur edhe kishte rënë dëshmor.
Zonja Kumrie në luftën e UÇK-së ka humbur edhe vëllanë, 9-vjeçar, pastaj Gjyshen Hankë, së cilës Serbia ia kishte shfarosur krejt familjen në Bosnje, ndërsa e kishte vrarë edhe atë …
Kujtimet për ato ngjarje tragjike dhe pësimet në familjen ku kishte lindur, por dhe në familjen e burrit, i kanë ngelur në kujtesë si ngjarje të rënda që kurrë nuk harrohen, por duke qenë se gjaku i tyre dhe i të gjithë familjeve të dëshmorëve e martirëve i solli lirinë Kosovës, ajo ndihet edhe krenare, sepse “pa luftën e UÇK-së, pa gjakun e derdhur për çlirimin e vendit nuk do ta kishim as këtë liri që e kemi, thotë ajo. Jemi tre breza që kemi pësuar tragjedi familjare nga forcat okupatore serbe, si në familjen ku kam lindur ashtu edhe në atë të bashkëshortit tani dëshmor. Po kështu edhe brezi i katërt nuk është i qetë, derisa kemi familjarë të zhdukur për fatin e të cilëve nuk dimë asgjë qe 21 vjet. Ne kurrë nuk mund t’ i harrojmë as t’ i falim krimet që i ka kryer regjimi serb kundër nesh dhe kundër popullit të Kosovës...”
Pavarësisht vuajtjeve, pësimeve, vështirësive ndër më të rëndat me të cilat ishte ballafaquar gjatë luftës, me dy bijtë, asokohe njëri gjashtë e tjetri pesë vjeç, në kohë kur ishte edhe shtatzënë dhe kishte lindur djalin, pasi bashkëshorti kishte rënë dëshmor dhe të cilin e kishte pagëzuar me emrin e babait, Kadriut, ajo nuk ishte dhënë, sepse i kishte besuar fitores dhe mbijetesës së sigurt të një populli i cili nuk kishte kursyer asgjë për ta fituar lirinë.
Pas luftës, edhe pse me dhembje të përshkruara për më të dashurit që ishin varrosur e të tjerë që ende konsiderohen të zhdukur, ajo nuk u dha por iu kushtua rritjes së tre bijve dhe familjes në përgjithësi, duke u bërë edhe pjesë aktive në organizata humanitare dhe në OJQ, me qëllim për të dhënë kontribut në ndriçimin e fatit të të zhdukurve, pastaj duke ndihmuar familjet e dëshmorëve, martirëve, të zhdukurve dhe duke mos e ndërprerë asnjëherë aktivitetin në këtë drejtim.
Aktualisht, zonja Kumrie Prenku-Karaçica, udhëheq OJQ-në “For New Life Kosovo” që merret me viktimat, të zhdukurit e luftës. Ajo merr pjesë edhe në takime rajonale, ku trajtohen fati i personave të pagjetur, si dhe në të gjitha aktivitetet kulturore e tematike, në të cilat shënohen ngjarjet me rëndësi për të pagjeturit dhe hallet e brengat e familjarëve të tyre. Edhe pse në kushte të pandemisë, zonja Kumrie me bashkëveprimtaret e saj përkujton të rënët, martirët dhe kurdoherë është e pranishme në të gjitha aktivitetet e tilla.
Gjatë bisedës në studion e TV-Diellit me kryeredaktoren e Radios Kosova Lirë dhe folësen e TV-Diellit, Arbanë Qeriqi-Gashi, zonja Kumrie Karaçica ka folur edhe për bashkëveprimtarët që kanë dhënë kontribut me ndihma dhe komunikim me familjarët e të pagjeturve. Po ashtu ajo ka falënderuar sa e sa firma dhe kompani që kanë ndihmuar organizatën dhe familjarët, ndërsa në këtë mes ka veçuar për ndihma konkrete ish-Qeverinë, veçmas ish kryeministrin, Ramush Haradinaj për ndihmë të pakursyer që u ka afruar kategorive të luftës, familjarët e të zhdukurve dhe OJQ-ve e organizatave që merren me këto probleme.
Zonja, Kumrie Karaçica, mban lidhje me OJQ-të simotra kudo në Kosovë pastaj me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, me Komisionin Qeveritar për personat e pagjetur dhe me shumë familjarë të tyre anë e kënd Kosovës. Ajo disponon të dhëna të shumta për masakrat serbe kudo në Kosovë e veçmas, në Drenicë, si në Çikatovë, Verboc, Rezallë, Abri, Izbicë e në vende të tjera.
Po ashtu, ajo ka bërë të ditur edhe faktin se komuna e Drenasit ka edhe 40 të zhdukur, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.
Në fund të Bisedës, zonja Kumrie Prenku Karaçica, ka falënderuar veçmas kontributin e Radios-Kosova e Lirë, si gjatë dhe pas luftës, dhe angazhimin maksimal për ruajtjen e vlerave të luftës, me emisionet e përditshme për dëshmorët e martirët, për masakrat serbe në Kosovë. “Ju në Radio jeni të vetmit në Kosovë që keni 24 orë program ditor për dëshmorët, të zhdukurit, martirët dhe për krejt aktivitetet tona në terren. Ajo ka uruar edhe TV-Diellin, që po kështu i trajton këto probleme, me të cilat ende po ballafaqohet shoqëria jonë…
( Bisedën në TV-Dielli me zonjën, Kumrie Prenku Karaçica, e zhvilloi kryeredaktorja e Radios-Kosova e Lirë dhe folësja e TV-Diellit, Arbanë Qeriqi-Gashi)