Me të hyrë në sezonin e verës dhe me ngritjen e temperaturave mbi vendin tonë, kanë filluar të rriten dukshëm edhe kërkesat për ujë të pijshëm.
Kompania e Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” sh.a.u bën apel të gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, Shtime, Lipjan, Graçanicë dhe Podujevë me të gjitha fshatrat përreth, që ujin e pijshëm ta shfrytëzojnë sa më racionalisht në këtë periudhë, ta shfrytëzojnë për pije dhe hixhienë dhe assesi për destinime tjera që konsiderohen të paarsyeshme.
Deri më tash, KUR ”Prishtina” sh.a. me të gjitha mundësitë teknike të sistemit operativ ka mbajtur një furnizim shumë të mirë me ujë të pijshëm, ku për një kohë tejet të gjatë kishte eliminuar tërësisht reduktimet e ujit gjatë gjithë ditës në secilën zonë menaxhuese.
Uji, që nga dita e djeshme ka filluar të keqpërdoret dhe më së miri këtë dukuri e tregojnë rezervuarët në kryeqytet , ku rënia e nivelit të ujit është drastike.
Ujësjellësi Rajonal”Prishtina” bashkë me Inpekcionin e Kuvendit Komunal të Prishtinës duke filluar nga ditët në vijim, do të dalin në teren për të kontrolluar shpenzimin e ujit dhe keqpërdorimet që po bëhen nga persona të pandërgjegjshëm.
Nëse vazhdohet me këtë tempo të shpenzimit enorm të ujit të pijshëm, jemi të detyruar që të fillojmë të aplikojmë reduktime .
Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm.
Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por ai duhet kursyer pikë për pikë!
Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim.
Cfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit dhe ta shpenzojë atë sa më racionalisht?
Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,
Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,
Mos ujitni lulet, kopshtet dhe arat,
Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë, thuhet në apelin e KUR Prishtina drejtuar konsumatorëve të vet.