Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina” sh.a. Ilir Abdullahu, priti në një vizitë përfaqësues të Institutit për Studime të Avancuara GAP i kryesuar nga Agron Demi, drejtor ekzekutiv dhe Berat Thaqi, analist politikash. Përfaqësuesit e lartë të këtij Instituti, u njoftuan më për së afërmi me të gjitha aktivitetet e Ujësjellësit ”Prishtina”, duke u nisur nga furnizimi me ujë të pijshëm në tetë komunat e menaxhuara nga kjo kompani, nivelet e ujit të liqeneve akumuluese sipërfaqësore Batllava e Badoci, rritjen e shkallës së arkëtimit, rehabilitimin e rrjetit primar, sekondar dhe terciar duke u fokusuar në tri faza të investimeve të financuara nga donatorët, reduktimin e humbjeve të ujit duke e radhitur si prioritet gjatë muajve në vijim si dhe dinamikën e punimeve në fabrikën e përpunimit të ujit në “Shkabaj”. Kryeshefi Abdullahu ndër të tjera tha se kjo kompani është në proces të përmbushjes së obligimeve ndaj konsumatorëve, përmes realizimit të të gjitha investimeve në infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit. Kërkesë e kryeshefit Abdullahu ndaj shoqërisë civile, ishte bashkëpunimi i ndërsjellë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe transparencës ndaj të gjithë qytetarëve që furnizohen me ujë të pijshëm nga kjo kompani.
Përfaqësuesit e Institutit GAP, shprehën dëshirë për bashkëpunim, duke kërkuar që në të ardhmen të kenë qasje në dokumentacion të kompanisë, për hir të transparencës ndaj opinionit publik.