Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott. Kurti e ka njoftuar Abbottin se situata pas shfaqjes së koronavirusit në Kosovë, është stabile dhe masat e marra nga qeveria po e mbajnë gjendjen nën kontroll. Ai ka theksuar se të sëmurët me COVID-19 janë në gjendje stabile dhe gjashtë nga ta janë liruar ta vazhdojnë shërimin në shtëpi, në vetizolim. Sa i përket situatës politike, Kurti ka bërë me dije se në këtë situatë të menaxhueshme nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme dhe se thirrja e kryetarit është e pabazuar dhe e panevojshme. Nga ana e tij, ambasadori Abbott, ka thënë se në këtë situatë të emergjencës së shëndetit publik është esenciale që veprimet politike të institucioneve shtetërore të qeverisen sipas Kushtetutës së Kosovës.
