Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka reaguar pas takimit të djeshëm në Bruksel ndërmjet kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksander Vuçiq. Kurti ka thënë se dialogu ka vazhduar pa ekip negociator, pa platformë e parime, dhe Thaçin e ka quajtur si një njeri pa legjitimitet e kredibilitet. “Mbrëmë në Bruksel u zhvillua takimi i tretë i Thaçit me Vuçiqin. Edhe ky takim pa mandat nga Kuvendi, pa platformë parimesh e pa ekip negociator. Nga një njeri pa legjitimitet e pa kredibilitet, pa kompetencë e pa autoritet. Plani i Serbisë për marrjen e veriut të Kosovës është lakmi shovene e admirim nostalgjik për Gjermaninë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. 75 vjet më vonë, Serbia e do pjesën e Kosovës që ishte nën Gjermaninë e Hitlerit. Kolaboracionisti i saj shqiptar, kësaj radhe është president yni. Por, shekulli është tjetër… Sot, më 9 nëntor, janë bërë katër muaj prej se qeveria na e solli në Kuvend raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit. Mirëpo, Kryetari i Kuvendit dhe veglat e tij në kryesi aty, nuk e dëshirojnë shqyrtimin dhe vlerësimin e dialogut 2011-2017, marrëveshjet e bëra dhe rezultatet e tyre. Që prej 9 korrikut 2018, ai nuk do që ta fus në agjendë parlamentare e ta sjellë në seancë plenare këtë raport të qeverisë. Ky kryeparlamentar është kolaboracionist i kolaboracionistit”, ka shkruar ai.
Kontrolloni gjithashtu
Bajram Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbijetojë!
Gjatë një takimi me fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës, nxënësit e shkollës “Rilindja” në …