Duke komentuar takimin në Vojvodinë në mes të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama,të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nismën e tyre për idenë e ashtuquajtur “Shengeni i vogël”, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se nuk i kundërshton iniciativat rajonale, por, ka theksuar ai, Kosova nuk duhet të përjashtohet nga iniciativa të tilla. Ai ka shtuar më tutje se dëshiron që Shqipëria ta shoh Serbinë me sytë e Kosovës. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe që ka nevojë për liberalizim e tyre. E përmendi këtë sepse kanë thënë se do të formojnë një mini Shengen ballkanik kur në fakt këto tre vende tashmë e kanë liberalizimin e vizave. Poenta është si ta marrë Kosova, jo këta që tashmë e kanë ta krijojnë mini Shengenin ballkanik. Nuk i kundërshtoj në parim iniciativat rajonale, por Kosova duhet të jetë aty e respektuar dhe aktive. Për të arritur aty, unë edhe do ta ngre këtë çështje në takimin e parë që do ta kem me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Ramën, ka deklaruar kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.