Kushtetuta e Kosovës nuk ofron zgjidhje në rast se kandidatët e mbetur të Listës Serbe nuk pranojnë të zëvendësojnë kolegët e dorëhequr dhe as për situatën nëse njëjtë veprojnë edhe partitë tjera serbe. Një situatë e tillë eventuale do ta linte Kuvendin pa 10 deputetë që kanë vendet e rezervuara te komunitetet, votat e të cilëve janë të domosdoshme për çdo ndryshim kushtetues që mund t’i nevojitet shtetit. Andaj, njohës të funksionimit të Kuvendit e vlerësojnë të lartë rrezikun për zgjedhje të parakohshme. Ulëset e lëna bosh pas dorëheqjes së deputetëve të Listës Serbe akoma nuk dihet nëse do të plotësohen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kohë edhe katër ditë që kandidatët Dragana Antonijeviq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Jokiq, Ksenija Bozoviq, Radosh Mihajloviq, Biljana Maksiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq dhe Olivera Zdravkoviq t’i rekomandojë te Presidentja. Valdete Daka e cila ka udhëhequr KQZ-në, tregon se si duhet të veprohet nëse këta kandidatë vendosin mos t’i pranojnë mandatet.
“Nëse ata tri herë radhazi nuk shkojnë në seancë e humbin mandatin e deputetit përsëri, në të vërtetë e humbin të drejtën për të qenë deputet dhe pastaj shkon procedura e njëjtë përsëri kërkohet nga KQZ-ja që të bëhet rekomandimi nga subjektet e njëjta politike”, ka thënë Daka. Lista Serbe nuk ka kandidatë tjerë për t’u bërë deputetë. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, rekomandohen kandidatë nga parti të tjera serbe që kanë marrë pjesë në zgjedhje.