Kushtrim Sheremeti: Decalogue post Autochthonous

I – Ndeshja

 

Të gjithë ata që e trajtonin ndeshjen në mes Shqipërisë dhe Serbisë, vetëm si “edhe një ndeshje në kalendarin e UEFA-së”, u bindën se ishin gabim! Po aq gabim e kishin edhe ata tjerët kur thoshin se të shkuarit për çfarëdo “beteje” në Beograd është diçka normale për Ballkanin “kosmopolitan”. Deri sa të ketë çështje të pazgjidhura në mes të këtyre dy popujve, siç është sidomos Kosova Lindore dhe veriu i Kosovës, nuk do të ketë mundësi që betejat të kalojnë ndryshe. Tek kur të zgjidhen këto probleme do të mund të konsiderojmë se ka mundësi të fillojë një bashkëpunim “normal” në mes këtyre popujve, e që përfaqësohen nga qeveritë përkatëse. E kjo duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe diskutimit të këtyre temave në mes vete!

 

II – Tifozët

 

Dallimi në mes tifozëve shqiptarë dhe atyre serb vërehej edhe nga këngët e kënduara. Dhe këto këngë nuk i këndonin vetëm tifozët “ultras” të të dy popujve, por edhe shumica e qytetarëve të rëndomtë. Për shembull, deri sa serbët këndonin “Vrit, ther, që shqiptari të mos ekzistojë” ose “Mbyte kroatin, që shqiptari të mos ketë vëlla” duke treguar shpirt dhe mentalitet  fashist, racist dhe urrejtje patologjike, me tendencë të zhdukjes së një ose më shumë popujve, shqiptarët këndonin “Hajde Serbi, t’u q.. nona, se na jemi kampiona” në Prishtinë dhe “Serbi, Serbi, t’ë q.. motrën” në Tiranë, ku megjithatë për dallim nga thirrjet për gjenocid që dëgjoheshin nga ana serbëve në Beograd, së paku me humor mund të konstatojmë se nacionalizmi sportiv shqiptar është më paqësor e dashamirës, dhe në fund të fundit thirrje ndihme për riprodhim të një populli që ka probleme me natalitetin.

 

III – Propaganda

 

Pas lojës propaganda ishte në anën e serbëve. Por kjo mund të duket normale, sepse ishin ata që duhej ta mbulonin turpin dhe agresionin e asaj nate. Sidoqoftë, ne, duhet të marrim mësim nga ky rast dhe të jemi gjithmonë të përgatitur për më të keqën, e mos të lejojmë që si gjithmonë, gënjeshtra e tjetrit të duket më e vërtetë se e vërteta jonë.

 

IV. Mediet

 

Këtyre ditëve i kam përcjellur në masë të madhe mediat e Serbisë dhe më duhet të them se jam i lumtur me lirinë e medias te ne, si dhe me nivelin e gazetarëve tanë, krahasuar me Serbinë. Madje edhe unë që nuk kam besuar kurrë në “kosmopolitanizmin” aktual të Ballkanit e sidomos Serbisë, jam befasuar për të keq në nivelin e lirisë së medias në Serbi. Dhe jo vetëm për gënjeshtrat dhe linçimet sistematike pas ndeshjes, por për gjithë atë nxitje të urrejtjes dhe nxitje të dhunës qysh një javë para ndeshjes, e që kontribuuan shumë të ndodhë gjithë ajo që ndodhi në fushë atë natë. Madje shkonin aq larg, sa që me krenari një video të një përleshjeje në qendër të Vjenës në mes të disa të rinjve që kishte ndodhur shumë vite më parë, e paraqitnin si rrahje në mes të serbëve dhe shqiptarëve pas ndeshjes, ndërsa thurnin elozhe për “Schwarzenegger-in serb” siç e quanin ata një djalosh në atë video që i rrihte dy djem të rinj!

 

V – “Kosmopolitanët” , “Jugonostalgjikët” dhe “Kosovaristët”

 

Nuk ishin diçka të reja deklaratat e tyre. Nuk u befasova as nga Andrea Stefani, as nga Enver Robelli e as nga Halil Matoshi e as nga të tjerët (i përmenda këta tre, si më të zëshmit e ditëve të fundit). Madje nuk prisja të reagonin ndryshe. Tek e fundit vetëm sa u binda edhe më shumë se ata janë si puna e (siç thoshte një miku im)  Chapman-it. Mark David Chapman më 8 dhjetor 1980 e kishte vrarë John Lennon-in, yllin e një prej grupeve më të mëdha muzikore në botë dhe një prej arsyetimeve që e kishte dhënë ishte se dëshironte “të bëhej nga hiçi në i famshëm” dhe kështu kishte goditur gjënë që bota e donte shumë. Sidoqoftë, sot Chapmani deklaron se “ishte idiot asokohe dhe se është i penduar për veprimet që i ka bërë”! Tek e fundit edhe këta tanët i ndryshojnë mendimet sipas rrethanave! Madje janë “kosmopolit” që dikur e kundërshtonin psh Rock’n’roll-in, sepse ndoshta ju pengonte fama e Lennon-ve!

 

VI – MosMaPrekFlamurin

 

Sado të ndarë dhe me ideologji të ndryshme politike, sociale e rajonale, shumica dërmuese nga ne, atë natë e kishim një moto, e ajo ishte “MOS MA PREK FLAMURIN”. Rrjetet sociale ishin mbushur me këtë thënie gjithandej. Të gjithë ishim krenarë në Xhakën, Lilën, Canën, Shehun, Berishën, Balajn, Mavrajn, Agollin e të tjerët që nuk e lejuan shqiponjën dhe simbolet tjera kombëtare të preken dhe të përbaltën. Dikush nga “Chapmanët” edhe i akuzoi ata se “vrapuan dhe u rrahën për një leckë apo karikaturë, duke harruar se në botën kozmopolitane, identiteti është pjesë shumë e rëndësishme e diversitetit. E ai flamur tregonte identitetin tonë, prandaj edhe kishim arsye të ishim krenarë në djemtë tonë në Beograd, dhe me krenari u thoshim serbëve: “Mos ma prek flamurin”!

 

VII – Droni

 

Që nga ndeshja, patriotët ndjehen shumë krenarë. Dhe në fakt kanë arsye të shumta të ndjehen të tillë. Në aspektin moral, me ngritjen e dronit në Beograd me hartën e Shqipërisë së bashkuar, serbët u mposhtën dhe u doli fytyra e vërtetë. Droni, një pajisje fluturake që funksionon me telekomandues i bëri bashkë patriotët me “patriotët me bateri”. Këta të dytët ngarendnin të dalin nëpër mediume duke udhëtuar sa në Prishtinë e sa në Tiranë për të treguar se sa patriot janë! Një prej tyre ishte edhe një ish-profesor, i cili sot mbanë një pozitë të lartë udhëheqëse e deri dje u thoshte me ironi studentëve të tij kur kombëtarja shqiptare humbiste nga ndonjë kombëtare tjetër “Ë, humbet ju Shqipëria prapë a?!!” Ndërkohë, tifozët serb mund të “flladitën” për aktin kreativ të “dronit shqiptarë” dhe të vuajnë për mungesë kreativiteti! UEFA n’a penalizoj me vendimin e sajë, dhe i përgëdheli thirrjet raciste të serbëve, por porosia nga droni ynë, nuk do të ulet kurrë!

 

VIII – UEFA

 

Lajm i mirë ishte pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtarë, pas një pune të shkëlqyer të z. Hasani. Por fatkeqësisht futbolli i ekipeve të Kosovës mbetët jashtë dhe me gjasë do të vazhdojë të mbetët jashtë fushave ndërkombëtare edhe më tej. Të paktën deri sa Kosova të mos ketë ulëse në OKB! E pranimi në OKB duket i largët, të paktën deri sa të rregullohen çështjet e hapura mes shqiptarëve dhe serbëve. Atëherë zgjidhja e vetme dhe më e mirë është Liga e përbashkët shqiptare, e cila mund të marrë modelin e ligës Angleze ku garojnë edhe ekipe nga Uellsi! Në këtë mënyrë, do të zgjidhnim shumë problem të futbollistëve nga Prishtina, Peja, Mitrovica etj, duke ju mundësuar të garojnë në gara ndërkombëtare me ekipet e tyre, por edhe do të ndikonte në përmirësimin e kualitetit të futbollistëve të cilët do të jenë e ardhmja e kombëtares permes konkurrencës. Madje jemi shumë vonë për këtë veprim dhe nuk e kuptoj se përse nuk ka ndodhur kjo shumë vite më parë!!! Tek e fundit e pamë në rastin e fundit, se vetëm të bashkuar jemi shumë të forte. “Chapmanet” mund të vazhdojnë të thonë se kjo është përzierje e politikës në futboll, por a nuk ishte politik vendimi i UEFA-së për denimin e kombëtarës shqiptare!!!

 

IX – Blej Shqip

 

Të gjithë ne, në Prishtinë e Tiranë duhet ta shfrytëzojmë këtë ndjenjë dhe entuziazëm patriotik dhe të bojkotojmë produktet serbe e të blejmë sa më shumë prodhime vendore, e sidomos ato të cilat në janë të kualitetit të lartë, e që janë çdoherë e më shumë prezente në treg.. Në këtë mënyrë ne përpos se do të ndikojmë në mirëqenien tonë dhe në ngritjen e standardit të prodhimit vendorë, gjithashtu do të ndikojmë që edhe më shpejtë të zgjidhim problemet e hapura që i kemi me serbët, duke i detyruar ata të kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë nga presioni i rënies së interesit ekonomik. Prandaj #BlejShqip !

 

X – Bashkimi i shqiptarëve

 

Bashkimi do të bëhet! Në mos sot, nesër! Këtë e dëshmuan edhe ata fëmijë që festonin për fitoren e kombëtares, në Prishtinë e Tiranë, e që nuk kishin më shumë se 14-15 vjet derisa të lumtur këndonin “Dashuri e parë dhe e fundit je, Shqipëri ole”! Por, për të arritur deri aty duhet shumë punë. Ashtu siç u ri-njohëm me njëri tjetrin pas çlirimit të Kosovës, ashtu siç filluam bashkëpunimin në mes vete në sfera të ndryshme, ashtu duhet të fillojmë të integrohemi në mes vete. Bashkimi i shqiptarëve nuk është një akt i vetëm, por është një proces. Ai u bë më i mundshëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e do të afrohet edhe më shumë me konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Paralelisht me forcimin e Kosovës do duhet të ndodhin edhe integrimet kombëtare në të gjitha fushat, ashtu siç jemi integruar dhe bashkuar në kombëtaren e futbollit! Tek pastaj do të jemi të denjë para vetës dhe para botës, që të bashkuar të shkojmë në Evropë! Vetëm të tillë do të jemi vlerë e shtuar për Evropën!

 

Kushtrim Sheremeti

Aktor dhe anëtar i  Kryesisë së  Levizjës për Bashkim

 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …