Kuvajti është shteti në të cilin Forca e Sigurisë së Kosovës do të shërbejë me mision paqeruajtës, përkrah ushtrisë amerikane, ka konfirmuar komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Marrëveshja është nënshkruar me shtetin e Kuvajtit dhe kontingjenti i FSK-së do të nisë misionin në muajin mars të këtij viti. Ai pritet të zgjasë gjashtë muaj. Iraku e Kuvajti ishin vendet në të cilat pritej të zbarkonte ushtria e re e Kosovës në mision e saj të parë paqeruajtës, por tashmë është konfirmuar se do të jetë ky i dyti ku një numër simbolik i pjesëtarëve të FSK-së do të shërbejnë. Njësitë e FSK-së do të jenë pjesë e misionit të Gardës Kombëtare të Ajovës. “Jemi tash në fazën teknike të procedurave, qofshin administrative, dhe që në mars do të kemi një numër, sado simbolik që të jetë, që do jenë krah ushtrisë amerikane. Do të jenë në një mision paqeruajtës në Kuvajt. Jemi në procedurat finale të kompletimit të dokumentacioneve të të gjithë pjesëtarëve tanë që do të jenë pjesë e këtij misioni”, ka thënë Rama për “Kosovapress”.
Rama ka deklaruar se ka garë të madhe të pjesëtarëve të FSK-së që kanë shprehur interesimin për një shërbim të tillë, derisa përzgjedhja do të bëhet me pajtueshmëri me vendin partner dhe ushtrinë amerikane dhe personeli që udhëton caktohet mbi bazën e nevojës dhe kërkesave të tyre. Shërbimi i FSK-së në mision paqeruajtës në botë po ndodh për herë të parë, e kjo po bëhet përkrah ushtrisë më të madhe në botë, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës në janar të këtij viti, i paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione paqeruajtëse me Gardën Kombëtare të Iowas, i marrë më 31 dhjetor 2020.