Kuvendi i Komunës së Ferizajt diskutoi gjerë e gjatë, për raportin e punës për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ferizaj e kryesuar nga kryesuesi Xhavit Zariqi, ndërsa ka marrë pjesë Kryetari Agim Aliu, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, para anëtarëve të kuvendit, ka prezantuar një raport në lidhje me punën njëvjeçare të ekzekutivit.

Kryetari Aliu në fjalën e tij, ka thënë se 2024-ta paraqet një kapitull kalendarik, të rëndësishëm për qeverisjen lokale, të dobishëm për ferizajasit, vlerë plotë për investimet e përparimin e Ferizajt. Kryetari Aliu është shprehur se ky raport që formësohet si i tillë, ka burim punën e qindra grave e burrave të administratës së Komunës, ekspertëve e pa dyshim edhe udhëheqjes politike, për t’i prirë Ferizajt drejt sukseseve të reja, drejt horizonteve gjithmonë të hapura të punës, drejt më të mirës për Ferizajn e ferizajasit.

“Ferizajasit na dhanë besimin për ta qeverisur bashkë Ferizajn, ne po e kthejmë këtë besim, me vepra publike që ferizajasi i çdo moshe, i shijon, i sheh dobinë, i ndjenë lehtësimin. Është ndjenjë krejt e veçantë, nder e privilegj i pazëvendësueshëm, t’i shërbesh bashkëqytetarëve me vepra publike që përmbushin pritjet e tyre, përmbushin ëndrrën për Ferizajn që duan, jetësojnë të mirën shtrirë në vendbanimet, lagjet e tyre”, tha fillimisht Kryetari Aliu, për të vazhduar tutje me raportin e punës për vitin 2024.

“Vizioni ynë transformues për Ferizajn po vijon të shtrihet në çdo kënd e hapësirë të Ferizajt, me projekte konkrete, me nisma të qëndrueshme që bëjnë çdo vit diferencën e Ferizajt, nga vitet paraprake. Në fushën e infrastrukturës rrugore kryefjala e investimeve të guximshme e transformuese të qytetit, është nënkalimi i ri për vetura dhe këmbësorë pranë Stacionit Policor, ku tashmë kemi përuruar segmentin e parë të tij, për ta përmbyllur gjithë këtë vepër unike e madhore të infrastrukturës rrugore, në fillim gjysmën e dytë të këtij viti.

Po kështu, një nga arteriet rrugore kryesore të qytetit, rruga “Ahmet Kaçiku” ndjeu ndryshimin rrënjësor, rikonstruktimin e plotë, me rrugë krejt të re, trotuare të gjera, shteg çiklistësh, drunj dekorativ, ndriçim publik e gjithë infrastrukturën e nevojshme nën dhe mbi tokësore, ku tashmë paraqet një nga rrugët model të qytetit tonë.

Një projekt i rëndësisë së veçantë që i jep lamtumirën pamjes së vrazhdë, të lënë pas dore, të ç’rregullt të Ferizajt të dekadave të shkuara, është edhe projekti për rikonstruktimin e rrugës “Besim Rexhepi”, përfundimi i së cilit investim, jo vetëm ndërron pamjen e gjithë qytetit, por i jep dimensione të reja zhvillimi, kapilarëve rrugor në atë zonë.

Skaj nënkalimit të ri te Stacioni Policor, rreshtohet edhe një tjetër arterie rrugore e rëndësishme, rruga “Tahir Sinani” në gjithë trupin e së cilës kemi kryer fazën e parë të investimeve, për ta përmbyllur së shpejti në tërësi, si një nga rrugët më të veçanta e të kompletuara të qendrës së qytetit.

Punët e përpjekjet tona vijuan me dinamikë të shtuar edhe në punimet për rikonstruktimin e rrugës mbi 4 kilometërshe Varosh- Gurëz, si dhe në punimet në projektin me Ministrinë për rikonstruktimin tërësor të rrugës me gjatësi 1,8 kilometra – vazhdimi i rrugës “Rexhep Bislimi” me lidhjen në rrugën “Beau Biden” në drejtim të Gjilanit deri tek rreth rrotullimi që lidhet me autostradën “Arbën Xhaferi” në fshatin Bibaj.

Zona urbane njohu investime të rëndësishme në infrastrukturën rrugore, përmes asfaltimit dhe rikonstruktimeve tërësore të rrugëve kryesore të saj, porse edhe rrugëve të rëndësisë së veçantë si rrugët “Cen Dugolli”, “Behxhet Sojeva”, “Gjergj Fishta” e të tjera, për të vijuar pa u ndalur me investime të njëllojta edhe në infrastrukturën rrugore të fshatrave si në Varosh, Prelez të Jerlive, Pleshinë, Kosinë, Softaj, Fshat i Vjetër, Bibaj, Lloshkobare, Saraishtë, Mirash, Jezerc, Komogllavë, Greme, Prelez i Jerlive, Burrnik, Rahovicë, Sojevë, Zaskok, Gaçkë, lagjen komunitare Sallahane etj.”, ka thënë Kryetari Aliu.

Gjatë elaboratit të punës së tij, Kryetari Aliu është ndalur edhe tek sektori i arsimit, ku ka përmendur përfundimin e punimeve në objektin e ri të Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Dr. Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika”, ku tashmë këto dy institucione arsimore me mijëra nxënës e staf arsimor, zhvillojnë procesin mësimor në kushte krejt më të mira, me standarde të duhura që rrisin padyshim cilësinë e mësimdhënies dhe mësim nxënies.

“Vargut të tempujve të dijes në Ferizaj iu shtua edhe objekti i ri i shkollës “Dy Dëshmorët” në Talinoc të Muhaxherëve, gjersa një nga tiparet dalluese, krenaritë më të mëdha të arsimit ferizajas, mbetet mbështetja me bursë për studentët, si në asnjë Komunë tjetër të Republikës së Kosovës, ku vetëm për vitin 2024, ndamë bursa komunale për 1080 studentë ferizajas.

I rëndësisë së veçantë mbetet edhe objekti i shkollës së parë shqipe në Ferizaj, të cilin pas restaurimit nga MKRS, e shndërruam në shkollë arti dhe një hapësirë alternative ku tashmë po zhvillohen numër i madh i aktiviteteve kulturore.

Fokusi ynë në pikëpamje të arsimit, ishte edhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe përgatitjen e të rinjve dhe mësimdhënësve sipas kërkesave të tregut. Si rrjedhojë, në kuadër të programeve të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, rreth 400 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, morën pjesë në programe e 180 prej tyre u certifikuan e po ashtu gjatë gjithë vitit zhvilluam trajnime profesionale për afro 400 mësimdhënës.

E rëndësisë dokumentare e historike, ishte edhe nisma ku Ferizaj tashmë ka Hartën e Shtëpive Shkolla gjatë viteve 1990-’99”, tha Aliu, përderisa ka përmdnur edhe investime të tjera në fushën e arsimin.

Kryetari Aliu është ndalur edhe tek investimet në të gjelbërtën. Ai tha se epiqendra e hartës së investimeve ka fokus të gjelbrën.

“Në këtë kuptim, me ritëm të lartë çdo ditë, po jetësohen drejt përfundimit, dy megaprojekte të gjelbërta, zgjerimi dhe rregullimi i Parkut të Lirisë dhe rregullimi i Parkut në Kodrën e Sherretëve.  Ferizajt në qendër, do t’i shtohet edhe një park i ri, me standarde të larta e hapësirë të bollshme, ai në lokacionin e deritanishëm të kompanisë “Pastërtia”, punimet e së cilës vetëm se i kemi filluar.

Për të gjelbrën, qeverisja jonë gjatë harkut kohor të vitit 2024, zbatoi projektin unik, konceptin e miniparqeve në qytet e fshatra, ku shumë prej tyre, tashmë janë në shërbim të komunitetit, pa lënë anash edhe mbjelljet stinore të drunjve dekorativ e luleve, që i japin vlerë të shtuar ambienteve tona publike.

Nga kjo gamë e gjerë e veprimeve për të gjelbrën, Ferizaj u rangua i pari nga komunat e mëdha me performancën më të mirë në menaxhimin e mirëmbajtjen e hapësirave publike të gjelbërta si dhe u përzgjodhëm komunë pjesëmarrëse në Kongresin e Qyteteve të Gjelbërta në Utrecht të Holandës”, tha Aliu.

Numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu, ka folur edhe për investimet ne sektorin e shërbimeve publike, sektorin e bujqësisë, por edhe në fushën e financave dhe zhvillimin ekonomik e turizmit.

Ai tha se Komuna e Ferizajt në rang vendi, mori edhe vlerësime e tituj të shumtë për performancën e saj sektoriale.  Ferizaj u zgjodh i pari nga komunat e mëdha me 99% të buxhetit të shpenzuar në realizimin e investimeve kapitale gjatë vitit 2023.

“Ferizaj u zgjodh e para dhe e vetmja nga komunat e mëdha për transparencë buxhetore komunale për vitin 2023 nga Instituti GAP, Ferizaj u shpall kampion i transparencës në vend – vlerësim në kuadër të Transparometrit Komunal 2023.

Në këtë kuadër, Ferizaj është komuna e parë pas Kryeqytetit, me numrin më të madh të grave të punësuara në sektorin privat më 2023”, tha Aliu.

Në fjalën e tij Aliu, ka potencuar se viti 2024, për shëndetësinë ferizajase, ishte pa mëdyshje nga më të suksesshmit vite që lanë gjurmë të pashlyeshme në përpjekjen për infrastrukturë shëndetësore, kushte pune për mantel bardhët e shërbime më cilësore për pacientët.

“Në këtë kuadër, avancuam punimet në ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, bashkëfinancim me MSH, avancuam punimet në ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare nr. 2 në rrugën “Remzi Hoxha” bashkëfinancim me organizatën Qatar Charity.

Po kështu, përfunduam ndërtimin e objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prelez të Muhaxherëve, projekt në bashkëpunim me shoqatën “Qëndresa Kosovare” si dhe vumë gur themelin e objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Koshare”, tha Aliu.

Kryetari Aliu, tutje ka folur edhe për sektorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për sukseset, por edhe investimet që janë bërë në këtë sektor.

Pas fjalës së Kryetarit Aliu, opozita pati kritikat e tyre, ndërsa pozita ka lavdëruar punën njëvjeçare të ekzekutivit të Ferizajt.

Vërejtjeve të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, ju kanë përgjigjur drejtorët e drejtorive komunale, por edhe Kryetari Aliu.

Mbledhja e Kuvendit të Komunës, ka vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës. Drejtori i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka pasur edhe një varg propozimesh siç ishte propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrës kadastrale 721-0 zona kadastrale në Nekodim me sipërfaqe 1426 metra katrorë pronë private

E nga ana tjetër drejtorja e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, ka bërë propozim-vendimin për bartjen e mjeteve të të hyrave vetanake nga viti 2024 në vitin 2025.

Me shumicë votash në këtë mbledhje kanë kaluar për diskutim edhe këto pika të rendit të ditës. Propozim – vendimi për caktimin e lokacionit, për vendosjen – ndërtimin e përkohshëm të zyrave të Organizatës “Miqtë e familjes Biden – Ferizaj”, propozim – vendimi për shpronësim të pjesës së ngastrës kadastrale; 835-0 dhe 834-0 Z. K. Nerodime e Ulët, pronë private, propozim – vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e lapidarit të Dëshmorit Gëzim Sahiti në fshatin Pojate, propozim – vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit për nevoja të banorëve të fshatit Slivovë, propozim – vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e bustit të Dëshmorit Hysni Kajtazi, propozim – vendimi për caktimin e lokacionit për ndërtimin e pllakës përkujtimore për të zhdukurin e luftës Rrustem Rrustemi.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës me shumicë votash kanë aprovuar edhe propozim – vendimin për miratimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit Danez për refugjatë dhe Komuna e Ferizajt. Po në këtë mbledhje u bë edhe shkarkimi i nënkryetarit për komunitete Danush Ademi, ndersa i zgjodh Qazim Rrahmani.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi me bashkëpunëtor vizitoj Këshillin e Bashkësisë Islame të Kosovës në Rahovec

Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, për …