Është mbajtur mbledhja e radhës e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, e kryesuar nga Xhavit Zariqi. Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Kuvendit Komunal si dhe disa drejtorë të drejtorive komunale.
Gjatë mbledhjes, drejtori i Shërbimeve Publike, Alberton Sahiti, propozoi që të dalë në diskutim publik Draft-Plani Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt.
Gjithashtu u propozua edhe nxjerrja në diskutim publik e Draft-Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) për planet ndërkomunale të menaxhimit të mbeturinave, që përfshijnë komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Partesh, Kllokot, Ranillug, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit dhe Shtërpce.
Ndërkohë, drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, paraqiti propozim-vendimin për shfuqizimin e Vendimit nr. 01/147, të datës 25.09.2017, për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal 2017–2025 të Komunës së Ferizajt.
Në këtë mbledhje u prezantua edhe raporti financiar për periudhën janar–mars 2025.
Drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli, paraqiti propozim-vendimin për dhënien e pëlqimit për NPL “Ambienti” SH.A., për shfrytëzimin e njësive kadastrale 2025-0, 1038-0 dhe 1039-2 në Z.K. Ferizaj. Po ashtu, ai propozoi dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pjesës së ngastrave kadastrale 719-0 dhe 715-2, 715-3, 704-0, 708-0 dhe 714-0 në Z.K. Cernille.
Në mënyrë unanime u votua edhe plotësim-ndryshimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Shtëpia Ime” në Ferizaj (nr. 60/23, datë 21.12.2023), në lidhje me dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale nr. 638-0 në Z.K. Zaskok.
Ndërkohë, në rend dite ishte paraparë të diskutohet edhe propozim-vendimi për lirimin nga pagesa të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për shërbimet në Spitalin Rajonal të Ferizajt, QKMF dhe institucionet tjera shëndetësore, por kjo u shty për diskutim në një mbledhje tjetër.