Kuvendi i Komunës së Malishevës, në mbledhjen e dytë urgjente, sot ka miratuar Buxhetin e Komunës së Malishevës për vitet 2022-2024, me theks të veçantë për vitin 2022.
Në këtë mbledhje, projekt-buxhetin për vitin 2022, para këshilltarëve komunal e ka prezantuar Drejtori për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, kurse më pas është zhvilluar debat dhe janë propozuan kërkesat përmes përfaqësueseve të subjekteve politike.
Në fund të mbledhjes, Kuvendi Komunal, me shumicën e votave miratoi Projekt-Buxhetin e Komunës së Malishevës për vitet 2022-2024, me theks të veçantë për vitin 2022, në vlerë prej 15,655,757 €, që krahasuar me vitin e kaluar, është rreth 755 mijë euro më i lartë.
Pas votimit të buxhetit, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i ka falënderuar gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që përkrahen miratimin e këtij Projekt-Buxheti, që për synim ka fillimin e realizimit të projektit për Malishevën Urbane dhe përkrahjen e gjithë projekteve të sektorëve tjerë, me interes të përgjithshëm qytetarë.