Shumë policë të maskuar janë vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku në orën 11:00 pritet të nis seanca parlamentare, ndërkohë, që opozita ka paralajmëruar se do ta bllokojë edhe seancën e sotme me të njëjtat metoda, sikurse ka bërë edhe në seancat paraprake. Personeli i sigurimit është pozicionuar brenda sallës së Kuvendit. Sigurimi ka vendosur kontroll të rreptë deri te hyrja e sallës për deputetët. Deputetët e opozitës të parë kanë zënë vendet e tyre në Kuvend. Kryesia e Kuvendit ka konfirmuar se seanca plenare do të nisë në orën 11.00.
Situata mes pozitës dhe opozitës është tensionuar dhe është përshkallëzuar edhe më shumë nga ndërhyrja brutale e Policisë Speciale, më 28 Nëntor, kundër krerëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje pas mbajtjes së manifestimit gjithëpopullor në Prishtinë, të cilin e kishte organizuar opozita e bashkuar. Tensionet e rrezikshme në Kuvend janë pasojë e arritjes së marrëveshjeve që ka nënshkruar kryeministri, Isa Mustafa me kryeministrin serb Vuçiq, në Bruksel lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, të cilin opozita e cilëson si përpjekje për krijimin e një shteti të ri serb brenda territorit të Kosovës. Opozita nuk ka pranuar as demarkacionin me Malin e Zi, meqë me të drejtë konstaton se disa mijëra hektarë tokë iu kanë dhënë Malit të Zi.