Kuvendi i Kosovës pritet të fillojë sesionin e ri parlamentar, edhe pse nuk dihet se si do të zhvillohet situata edhe më e rënduar mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës. Pavarësisht pushimit prej disa javësh, grupet parlamentare nuk kanë ndryshuar qëndrimet politike dhe, ndërkohë që shumica parlamentare shpreson në një sesion më të qetë parlamentar, deputetët e opozitës konfirmojnë bllokimin që do t’u bëjnë seancave plenare. Nisjen e punës së Kuvendit e ka konfirmuar këtë javë edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se sesioni i ri i punës së Kuvendit do të nisë ditët në vijim, ndërsa shtoi se janë në pritje të marrjes së ftesës për mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë, për të caktuar mbajtjen e seancës së parë plenare për vitin 2016. Por shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi është shprehur e vendosur, që opozita të vazhdojë bllokimin e Kuvendit, ndërsa tani do të kërkojë edhe largimin e qeverisë, që – siç tha ajo, – ka shkelur Kushtetutën dhe nuk mund të qëndrojë me dhunë në pushtet. Edhe pse në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit, tanimë janë publikuar oraret e mbledhjeve të komisioneve parlamentare për javën e ardhshme, deputetja Kadaj-Bujupi tha se, opozita do t’i bojkotojë ato.