Kuvendi komunal i Vitisë kundërshton vendosjen e tarifës nga BQK për kompanitë e sigurimeve

Është mbajtur mbledhja e dhjetë e rregullt e Kuvendit komunal të Vitisë, me ç’rast është diskutuar për një varg çështjesh, që ishin paraparë në rend dite. Fillimisht kryesuesi i Kuvendit Komunal Naim Pira, ka shprehur keqardhje lidhur me ngjarjet e fundit në Shqipëri pas tërmetit që ndodhi sot, njëherit ka shprehur edhe ngushëllime familjarëve të viktimave. Ndërsa në pjesën e parë të kësaj seance, këshilltarët e Kuvendit Komunal kanë parashtruar pyetje drejtorëve të drejtorive, ndërkohë që është vazhduar me procedim të pikave të parapara për këtë mbledhje. Temë debati e që u diskutua nga këshilltarët komunal ishte edhe çështja e vendosjes së tarifës nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës, për rritje e çmimit të polisave të sigurimit për automjete. Lidhur më këtë, grupet parlamentare nxorën një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës kundërshtojnë fuqishëm vendimin për rritjen e tarifës për pagesën e sigurimit për automjetet nga ana e BQK-së. Nëpërmjet kësaj deklarate, Kuvendi Komunal i Vitisë ka kërkuar që të shfuqizohet ky vendim. Këshilltarët komunal, më tej kanë debatuar dhe shqyrtuan propozim rregulloren për palestrën sportive, propozim vendimin për shpalljen në diskutim publik të Draft, Strategjisë Komunale kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2019-2023, pika këto që u aprovuan nga kjo asamble. Gjithashtu u dha edhe një Informatë për përgatitjen e të mbjellave vjeshtore. Krahas këtyre pikave që ishin paraparë për këtë seancë, këshilltarët miratuan edhe përfshirjen e tri pikave të tjera të cilat edhe u aprovuan. Këto pika kishin të bënin me propozim vendimin për ndërtimin e një objekti shkollore dhe të një çerdhe publike në komunën e Vitisë, propozim vendim për dekorime dhe mirënjohje me rastin e Festës së Flamurit 28 Nëntorit, si dhe propozim vendimi për transferin e mjeteve buxhetore nga kategoria ekonomike paga dhe meditje në kategorinë ekonomike paga e mëditje në mes programeve buxhetore.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …