Kuvendi Komunal i Vitisë miratoi Projekt Buxhetin e vitit 2025, Rregulloren për Taksa dhe disa pika të tjera me rëndësi

Në sallën e Kuvendit Komunal të Vitisë u mbajt mbledhja e nëntë e rregullt, e cila u kryesua nga kryetari i Kuvendit, Bekim Azizi, i cili fillimisht ka njoftuar për ligjmërin e akteve të nxjerra në seancën e kaluar, ndërkohë që ka hapur diskutimin për pyetje dhe interesimet e këshilltarëve për çështje të tjera jashtë pikave të rendit të ditës. Seanca përfshiu disa pika kyçe të rendit të ditës, ku u trajtuan çështje të rëndësishme për funksionimin dhe zhvillimin e komunës.

Një nga pikat më të diskutuara në këtë seancë ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozim-vendimit për projekt buxhetin e komunës së Vitisë për vitet 2025-2027. Këtë projekt buxhet e prezantoi drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Milihate Ajeti e cila bëri të ditur se buxheti për vitin 2025 pritet të jetë 17 milion e 945 mijë e 622 euro (17.945.622.00 €) që krahasuar me vitin e kaluar është në rritje për 1 milion e 292 mijë e 431 euro ose për 7.76%. Kurse buxheti në vitin 2026 do të jetë 18 milion e 833 mijë e 576 euro e në vitin 2027 do të jetë 19 milion e .696 mijë e 968 euro. Drejtoresha Ajeti theksoi se rritje është reflektuar në grantin e përgjithshëm në vlerë prej 571 mijë e 47 euro (771.047 €), rritje në grantin specifik të arsimit në vlerë prej 286,421 euro, rritje në grantin specifik të shëndetësisë 193,977 euro, kurse total grantet kanë rritje prej 1 milion e 51 mijë e 805 euro. Sa i përket të hyrave komunale, kanë shënuar rritje në krahasim me vitin 2024 për 240,625 euro.

Kjo pikë ngjalli diskutime të shumta dhe polemika mes këshilltarëve komunalë, të cilët debatuan për prioritetet e investimeve dhe alokimin e fondeve në sektorë të ndryshëm. Pas shumë diskutimeve, me shumicë votash u miratua projekt buxheti 2025-2027.

Në vijim, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi propozim-rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba. Ky dokument është i rëndësishëm për rregullimin e tarifave që aplikohen ndaj qytetarëve dhe bizneseve në komunë dhe kishte për qëllim që të ofroj një sistem më të drejtë dhe transparent për pagesat.

Gjithashtu, u shqyrtua dhe miratua propozim-vendimi për planin e punës së Kuvendit Komunal për vitin 2025, duke përfshirë objektivat dhe strategjitë për zhvillimin e komunës në vitin që vjen. Kuvendi miratoi edhe vendimin për aprovimin e buxhetit për participimin nga fermerët përfitues, një masë që synon të mbështesë më tej zhvillimin e sektorit të bujqësisë në komunë.

Një tjetër vendim i rëndësishëm në këtë seancë ishte ai për transferimin dhe rialokimin e mjeteve buxhetore ndërmjet programeve dhe nënprogrameve buxhetore në kategoritë ekonomike të investimeve kapitale, për të siguruar efikasitet në zbatimin e projekteve të rëndësishme kapitale.

Në fund, Kuvendi u informua lidhur me raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare të vitit 2023, si dhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në këtë raport nga Zyra Kombëtare e Auditorit për vitin e kaluar.

Mbledhja përfundoi me një angazhim të qartë për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe për të rritur transparencën në vendimmarrje, duke shërbyer si një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së nevojave të qytetarëve të Vitisë.

Kontrolloni gjithashtu

Të shtunën në Rahovec shënohet Dita e Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”

Në kuadër të shënimit të ditës së Bibliotekës Komunale Sulejman Krasniqi dhe 87 vjetorit të …