Kuvendi Komunal Shtime: Me dhimbje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Ahmet Qeriqit, njërit prej figurave më të shquara të lëvizjes kombëtare dhe luftës për liri

 

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Ahmet Qeriqit, njërit prej figurave më të shquara të lëvizjes kombëtare dhe luftës për liri.

Me këtë rast, përmes telegramit, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Qeriqi, miqve e të njohurve të të ndjerë.

“E nderuara familje Qeriqi, miq, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të Ahmetit,

Me pikëllim të thellë dhe dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Ahmet Qeriqit, njërit prej figurave më të shquara të lëvizjes kombëtare dhe luftës për liri. Ahmeti ishte mishërimi i përkushtimit të palëkundur ndaj atdheut, vizionar i cili, me guximin dhe vendosmërinë e tij, nuk u ndal asnjëherë në rrugëtimin drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Që në moshë të re, Ahmeti iu përkushtua çështjes kombëtare me një idealizëm të rrallë. Për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, ai u dënua disa herë nga regjimi jugosllav, duke kaluar vite të gjata në burgje, por as represioni më i egër nuk arriti ta thyejë shpirtin e tij të pathyeshëm. Përkundrazi, ai vazhdoi të veprojë me përkushtim të palodhur për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar.

Me okupimin e Kosovës dhe shtypjen sistematike nga regjimi serb, Ahmeti nuk u tërhoq, por u angazhua edhe më fuqishëm në organizimin dhe rezistencën kombëtare. Ai ishte zë i fuqishëm për lirinë e udhëheqës shpirtëror dhe aktivist i palodhur që e dinte se liria do të vinte vetëm përmes sakrificës dhe përpjekjes së përbashkët të popullit.

Gjatë luftës, kontributi i tij arriti kulmin me themelimin e Radios Kosova e Lirë, e cila u bë zëri i vërtetë i rezistencës shqiptare dhe burim kyç informacioni për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatën e gjerë. Në kushtet më të vështira, në një kohë kur propaganda serbe përpiqej të shtypte të vërtetën, Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij arritën ta mbajnë gjallë shpresën dhe të mobilizojnë një komb të tërë për betejën e madhe për liri.

Pas luftës, ai vazhdoi të mbetet zë i fuqishëm për të vërtetën dhe të drejtat e kombit shqiptar. Përmes angazhimit të tij të pandalur në fushën e medias, analizave të thelluara dhe përkushtimit të tij ndaj vlerave kombëtare, ai nuk reshti asnjëherë së mbrojturi idealet për të cilat kishte sakrifikuar gjithë jetën.

Sot, me humbjen e tij, Kosova ka humbur një nga bijtë e saj më të devotshëm, një njeri që jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së dinjitetit të shqiptarëve. Por vepra dhe kujtimi i tij do të jetojnë përgjithmonë në historinë tonë dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta vlerësojnë.

Në këto momente dhimbjeje, bashkëndiejmë me familjen Qeriqi dhe të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan Ahmetin. Ngushëllime të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që ndanë me të idealin dhe përpjekjen për liri e drejtësi.

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe vepra e Ahmet Qeriqit”, mbyllet telegrami i ngushëllimit.

Kontrolloni gjithashtu

Nisma Socialdemokrate ngushëllon për ndarjen nga jeta të prof. Ahmet Qeriqit

Me dhembje të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të Ahmet Qeriqit, një …