Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme për aktivistin e Vetëvendosjes Astrit Dehari, i cili vdiq më 5 nëntor në Burgun e Prizrenit në rrethana ende të pasqaruara, edhe pse deri tani janë dhënë dy versione, ai zyrtar dhe versioni i mjekëve të pavarur.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, nga foltorja e Kuvendit, ka paraqitur kërkesat e shoqërisë civile të cilët përmes peticionit kërkuan mbajtjen e një seance parlamentare për vdekjen e aktivistit Astrit Dehari. Ai tha se në këtë seancë është dashur të diskutohet për shkarkimin e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, ashtu siç është kërkuar përmes peticionit të shoqërisë civile. “Vrasësin e Deharit mund ta identifikojmë lehtë pasi që ai vdiq në një institucion shtetëror që menaxhohet nga Qeveria”, ka thënë Konjufca.
Zenun Pajaziti, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, në fillim të seancës së Kuvendit ka kërkuar që ky debat mos të mbetet vetëm parlamentar, por të shërbeje edhe për psikologë, sociologë dhe kriminologë. “Në ditët e fundit kemi dëgjuar se ai vdiq në duart e shtetit. Ne në duart e shtetit jemi çdo ditë në trafik, në institucione, çdo kund”, ka thënë Pajaziti.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, pasi u ka shprehur ngushëllime familjes për vdekjen e Astrit Deharit, ka thënë se më së miri do të ishte të ftohej FBI-ja sikurse në rastin e Dino Asanajt për ta zbardhur edhe këtë rast. “AAK asnjëherë nuk ka tentuar të përfitojë nga raste tragjike, të kujtdo qofshin”, ka thënë Lekaj.
Ismet Beqiri, shefi i GP të LDK-së, në emër të LDK-së, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Astrit Deharit. “Ne, që nga momenti i vdekjes së të riut Dehari, kemi qenë të interesuar që të zbardhet vdekja e tij. Në asnjë rrethanë nuk kemi qenë që të marrim rolin e mjekut, hetuesit e gjykatësit, gjë që s’na takon. Duhet t’i besojmë institucioneve tona”, ka thënë Beqiri. Ai tha se fatkeqësisht është abuzuar me këtë rast tragjik në forma të ndryshme.