Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca, në njërën prej të cilave do të mbahet debat parlamentar me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi nga autoritetet serbe. Në një njoftim për media, bëhet e ditur se seanca e parë do të fillojë në ora 10:00, ndërsa seanca e jashtëzakonshme për Thaçin do të fillojë në orën 14:00.
Seanca plenare do të ketë këtë rend dite:
- Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
- Koha për pyetje parlamentare,
- Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
- Votimi për emërimin e një anëtari në Komisionin për Kërkesa Pronësore,
- Votimi i Projektligjit për investimet strategjike në Republikën e Kosovës,
- Votimi i Propozim-Rezolutës lidhur me Kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës,
- Votimi i Propozim-Rezolutës lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës,
- Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-117 për Akreditim,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta,
- Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
- Shqyrtimi i Raportit mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2015,
- Shqyrtimi i Raportit të Agjencisë së statistikave të Kosovës për vitin 2015.