Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti mbledhjen e pestë të rregullt për vitin 2024. Fillimisht mbledhja filloi me rendin e pikës jashtë rendit të ditës, ku u ngritën disa çështje nga asamblistët dhe më pas u diskutua dhe u miratua rendi i ditës me disa plotësime. Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi dhe shefat e grupeve të partive të përfaqësuara në kuvend, uruan familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të luftës së UÇK-së , martirëve si dhe për të gjithë ata, që kontribuuan në çlirimin dhe lirinë e Kosovës, përkatësisht Malishevës, për nder të 16 Qershorit- Ditës së Çlirimit dhe të Dëshmorëve të Komunës së Malishevës. Në këtë mbledhje u bë Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës nr.01/682 datë:06.06.2024, të Këshillit Organizativ për ndarjen e mirënjohjeve dhe çmimeve në tri fushat si: Për trimëri dhe heroizëm, shëndetësi dhe arsim dhe u mor vendim që mirënjohjet dhe çmimet të ndahen, për personalitetet që dhanë kontribut të vlerësueshëm ndër vite në përgjegjësitë e tyre kombëtare e shtetërore që ushtruan. Po ashtu u diskutuan dhe u shqyrtuan edhe disa kërkesa e disa u prolonguan për mbledhjen e radhës të kuvendit.