KY ËSHTË PUNIMI FITUES NË KONKURSIN NDËRKOMBËTAR PËR DIZAJNIMIN E SHESHIT QENDROR TË RAHOVECIT

Me sot mori fund një hap i rëndësishëm në procesin për dizajnimin e sheshit qendror të qytetit të Rahovecit. Juria profesionale ndërkombëtare e lokale, me pesë anëtarë, Alexis Sanal, Vanessa Carlow, Frederic Saliez, Perparim Rama dhe Dashnor Kadiri unanimisht ka zgjedhur punimin fitues prej 80 aplikacioneve të dorëzuara nga 37 shtete. Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në komunën e Rahovecit Rumir Zhuniqi ka thënë se: Pra, më në fund kemi një koncept se si do të duket Sheshi i Rahovecit, ku do të zhvillohen aktivitete ekonomike, kulturore e artistike. Identifikimi kryesor i punimit fitues është rrethi në qendër të sheshit. Qendra e sheshit në formë rrethore, mund të akomodojë ngjarje të mëdha dhe ofron hapësirë të mjaftueshme për funksione ditore. Punimi ka paraparë që sheshi të ketë infrastrukturën adekuate për mbrojtje nga shiu e dielli. Pra, kemi një punim fitues i cili parasheh që Rahoveci ta ketë një shesh tejet funksional për nevojat e përditshme të qytetarëve të Rahovecit, si dhe një shesh ku mund të organizohen festivale e koncerte. E veç̧antë e këtij koncepti është edhe parashikimi i tre parkingjeve, një parkingu nëntokësor dhe dy tjerë mbitokësor, që i jep një zgjidhje afatgjatë qytetit të Rahovecit mbi problemin e vendparkimit për vetura. Zhuniqi tha se pasi e pashë punimin, u binda se dizajni krijon një identitet monumental. Ashtu siç e thotë edhe juria në raportin e përzgjedhjes së fituesit, punimi ka potencialin që të bëhet ikonë e Rahovecit në nivel kombëtar. Punimi fitues vjen nga tre arkitektë, Thomas Boerendonk nga Holanda, Daniel Arce Chu nga Uruguaji dhe Nguyen Duy Minh nga Vietnami, të cilët kanë punuar në projektimin e këtij punimi, që do jetësohet si sheshi i Rahovecit. Punimi trajton aspekte të shumta të sheshit dhe qytetit në përgjithësi. Strategjia urbane parasheh të sjell alternativa edhe për transportin motorik, duke ofruar lidhje adekuate të qytetit me qendrën e re. Janë propozuar tri intervenime:

– Një shteg për këmbësorë që lidhë ndërtesat kryesore dhe hapësirat publike,

– Një shëtitore e gjelbër, që ka edhe një shteg për çiklistë, e që lidhë veriun dhe jugun e qytetit me qendrën e tij,

– Si dhe ndërtimi i Sheshit Qendror, i pozicionuar aty ku piqen shtegu i këmbësorëve dhe shëtitorja e gjelbër.

Punimi parasheh zhvendosjen e Stadiumit të Qytetit dhe mbylljen për qarkullim të rrugës “Bajram Veliu”, që ndodhet anash stadiumit. Parashihet që një rrugë e re të ndërtohet te parkingu ekzistues për të mundësuar trafikun motorik mes rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Xhelal Hajda – Toni”.  Arkitektët fitues kanë paraparë gjithashtu që Sheshi Qendror i Qytetit të jetë një hapësirë e këmbësoreve dhe çiklistëve i ndërlidhur me parkun, ndërsa veturat me numër të limituar të kenë qasje vetëm në raste emergjente, për mirëmbajtje e logjistikë ose gjatë organizimit të ndonjë ngjarjeje të veçantë. Parashihet edhe ndërtimi i Qendrës së Komunitetit në lokacionin e tregut, që do ta ndajë sheshin e vogël “Hardhia” me Sheshin Qendror të Qytetit. Parashihen edhe hapësira të gjelbra të reja dhe mbrojtja deri në maksimum e atyre hapësirave të gjelbra që tanimë ekzistojnë. Po ashtu, edhe menaxhimi i ujërave, është paraparë në këtë punim. Përgjithësisht, punimi fitues ka dhënë propozimet konkrete gjatë projektimit, por ne, deri të ndërtimi do të bëjmë hapa të kujdesshëm dhe do ta plotësojmë me të gjitha elementet e nevojshme urbanistike gjatë hartimit të projektit kryesor (zbatues). Unë, si drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Rahovec, falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut në këtë projekt, që nga ideimi e konceptimi i tij, deri tani, te përzgjedhja e punimit fitues. E falënderoj kryetarin e Komunës, Smajl Latifi, për mbështetjen e pakursyer dhe përfshirjen direkte, përkundër situatës së komplikuar pandemike në nivel komune e vendi. Falënderoj UN-Habitatin për asistimin profesional gjatë fazave të ndryshme deri në shpalljen e Konkursit Ndërkombëtar, si dhe falënderoj kolegët e drejtorisë, e të gjithë drejtorët e punëtorët tjerë të Komunës që treguan mbështetje që një projekt kaq i rëndësishëm për qytetarët e Rahovecit, të bëhet realitet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …